Gërvalla në takim me Kajas kërkon që mbështetja për Kosovën të përkthehet në hapa konkretë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.

Sipas MPJD-së në këtë takim ajo ka theksuar rolin kyç që ka Bashkimi Evropian jo vetëm për ruajtjen e stabilitetit, por për ofrimin e vizionit dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët e Evropës.

“Ministrja nënvizoi nevojën që Republika e Kosovës të trajtohet si partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese evropiane, duke përfshirë përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se ajo ka theksuar që mbështetja për Kosovën nuk mund të mbetet në nivel deklarativ, por duhet të përkthehet në hapa konkretë, përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe heqjen e masave të padrejta që cenojnë frymën e partneritetit.

Gërvalla po ashtu ka thënë se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën.

“Mbështetja për Republikën e Kosovës është një mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar”, ka thënë ajo.

Gjithashtu ajo theksoi se prania dhe angazhimi i Kosovës në rajon është një burim i fuqishëm i stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë kontinentin.

:Në këtë drejtim, Gërvalla tha se tani është koha për vendime të guximshme dhe për një vizion të përbashkët evropian që përfshin edhe Kosovën si pjesë të natyrshme të tij”, theksohet në komunikatë.