Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, në margjinat e Forumit të Dubrovnikut.
Gjatë takimit ata kanë biseduar për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik si dhe për mbështetjen në anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ndërkohë, që është diskutuar edhe për bashkëpunim në siguri dhe mbrojtje.
“Ministrja Gërvalla dhe Ministri Fidan vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona, përfshirë përkrahjen unanime nga deputetët e Turqisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, është bërë e ditur se një vlerësim i veçantë u shpreh për angazhimin e Turqisë në kuadër të NATO-s dhe KFOR-it, duke e cilësuar si një përkrahje të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në rajon.
“Ministrja Gërvalla veçanërisht mirëpriti rolin konstruktiv të komandantit turk të KFOR-it në Kosovë. Në kontekst të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe aspiratës legjitime të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, Ministrja Gërvalla mirëpriti vazhdimin e përkrahjes turke për realizimin sa më të shpejtë të këtij synimi”, thuhet mes tjerash në komunikatë.