Ballina Lajmet Kosovë Gërvalla: Deri në fund të vitit do të aplikojmë për statusin e...

Gërvalla: Deri në fund të vitit do të aplikojmë për statusin e kandidatit në BE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka mbajtur sot një konferencë për media.

Me këtë rast, Gërvalla theksoi se janë duke bërë përgatitjet që deri në fund të vitit të dorëzojnë aplikimin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian.

Gërvalla tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha parakushtet për një kandidaturë të tillë, por se janë duke pritur momentin e përshtatshëm për ta dorëzuar aplikimin.

“Sa i përket aplikimit për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, mendojmë se Kosova i plotëson të gjitha kushtet për këtë dhe do të presim deri në fund të vitit për të zgjedhur momentin e përshtatshëm, për ta dorëzuar aplikimin”, deklaroi ministrja Gërvalla.

Ajo po ashtu tha se do të punojnë intensivisht që një aplikim i tillë të jetë i suksesshëm.

Mes tjerash, Gërvalla foli edhe për procedurat pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ajo tha se presin që pas pushimeve verore të kalohet procedura dhe të fillojë në Asamblenë Parlamentare.

“Ne presim që procesi të mos zgjasë aq shumë sa ka zgjatur për disa vende të rajonit. Procesin e kemi të shëndetshëm dhe gëzon përkrahje politike nga një numër i madh i vendeve anëtare të KiE-së”, theksoi Gërvalla.

Exit mobile version