Ballina Lajmet Rajon dhe Botë George Weah shpallet presidenti i 24-të i Liberisë

George Weah shpallet presidenti i 24-të i Liberisë

Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve shpalli ish-yllin e futbollit George Weah fitues të garës presidenciale në Liberi, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioni tha se në zgjedhjet e mbajtura më 26 dhjetor, koalicioni për Ndryshime Demokratike i kryesuar nga Weahfitoi 61.5 për qind të votave kundrejt 38.5 për qind të cilat i fitoi presidenti Joseph Boakai, i cili ishte i nominuar nga Partia për Unitet.

Pritej që Weah të mbajë një fjalim para përkrahësve të tij për ti falënderuar për fitoren, mirëpo i njëjti u anulua. Mijëra mbështetës të ngazëllyer që u mblodhën para selisë së partisë krijuan një atmosferë shqetësuese me shumë zhurmë, duke detyruar Weah të anulojë mbajtjen e fjalimit të fitores.

Ish-futbollisti më i mirë në botë që hyri në politikë duke fituar vendin e senatorit dhe tani presidentit të shtetit, ka para vetes një detyrë të madhe, sepse kërkohet nga ai që të rinjve që janë një shumicë në shtet tu ofrojë shpresa të larta për të ardhmen e tyre në vend. Betimi i presidentit të ri, pritet të bëhet më 16 janar.

Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer futbollistike të cilës i dha fund në vitin 2003, Weah mes tjerash luajti për klubet siç janë Monaco, Paris Saint-Germain, Milan, Chelsea, Manchester City dhe Olympique Marseille. Me fanellën e Liberisë regjistroi 60 paraqitje ku shënoi 22 gola.

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) në vitin 1995 e shpalli për futbollistin më të mirë në botë, dhe në po të njëjtin vit fitoi “Topin e Artë” të cilin e ndan France Football. Sa i përket kontinentit të Afrikës, tre herë është shpallur futbollisti më i mirë, më saktësisht në vitet 1989, 1994 dhe 1995.

Exit mobile version