Gent Cakaj e ka dorëzuar sot zyrtarisht detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Cakaj, nuk harroi falënderimet për kryeministrin Edi Rama, listoi edhe arritjet e kryera në politikën e jashtme gjatë detyrës së tij.
“E ndjej detyrim moral të falënderoj kryeministrin për mbështjetjen që më ka dhënë. Duke e konsideruar misionin tim të përmbushur them se pa mbështetjen e kryeministrit misioni im do kishte qenë i pamundur. Edhe pandema ka ndikuar në punën e diplomacisë. Kemi punuar në rrethana shumë të vështira! Këtë falënderim s’po e bëj se e kërkon kodi formal i mirësjelljes, por se e ndjej. S’kam fjalë ta falënderoj Ramën për këtë rrugëtim. Falënderoj dhe Xhaçkën. Jam i bindur pafundësisht që Xhaçka do t’i prijë konferencës së parë ndërqeveritare. Kryeministri në cilësinë e ministrit të Jashtëm ka bërë përfaqësimin më dinjitoz të mundshëm në kuadër të kryesimit shqiptar të OSBE”, tha Cakaj
Shkrimi i tij i plotë në Facebook:
Sot, edhe zyrtarisht, kam dorëzuar detyrën në duart e vyera të Olta Xhaçkës.
Nga dita e sotme nuk do të jem thjesht një paraardhës politik i Oltës, por mbështetësi më i madh i saj, që ajo ta përfaqësojë Shqipërinë denjësisht e me shkëlqim të plotë, me arritje të rralla e paraqitje të fortë në fushën e politikës së jashtme.
Për përkushtimin, devotshmërinë e profesionalizmin tënd, e dashur Olta, s’kam as më të voglin dyshim. Prandaj, të uroj nga zemra vetëm punë të mbarë e suksese të panumërta në rrugëtimin tënd si zonjë e hekurt, kryediplomatja e Shqipërisë. Do jem pranë teje sa herë që e kërkon puna e në shërbim të Shqipërisë sa herë e kërkon nevoja.
Ndërkohë, patjetër, mbetem tepër krenar e ballëlart për të gjitha arritjet e këtyre vjetë të fundit, duke filluar nga forcimi i faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për punën e jashtëzakonshme në Luginën e Preshevës dhe ngritjen e pashembullt të zërit në mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës, vendimi për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE, kryesimin e suksesshëm të OSBE-së e deri tek afrimi historik për marrjen e vendit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023.
Puna ime për Shqipërinë, natyrisht, nuk përfundon këtu. Përpjekja ime sot thjesht ndryshoi trajtë. Shqipëria për mua do të mbetet ëndrra që do t’i detyrohem për jetë.
FALEMINDERIT SHUMË!
SUKSESE E PUNË TË MBARË OLTA!