Gënjeshtra është helm i ndërgjegjes

Adem Gunes

Psikologu i njohur gjerman Hans Zulliger, në librin e tij Ndërgjegjja e fëmijës dhe ne”, thotë:
“Fëmijët nuk do ta mësonin kurrë çfarë është gënjeshtra nëse nuk do të përjetonin frikë dhe presion.”

Gënjeshtra është një çrregullim sjelljeje që bie ndesh me natyrën njerëzore. Në thelb, fëmijët nuk dëshirojnë të gënjejnë. Por, kur ndihen të detyruar, ata zhvillojnë zakonin e gënjeshtrës sepse detyrohen nga rrethanat.

Gënjeshtra buron nga nevoja për të mbrojtur personalitetin

Si shembull, imagjinoni dy vëllezër që përpiqen të zhvillojnë personalitetin e tyre duke u rritur pranë një nëne perfeksioniste. Ndërsa luajnë në dhomë, ata fillojnë të grinden. Si rezultat i grindjes, thyhet një vazo e vlefshme e cila qëndronte mbi tryezë. Nëna, e cila dëgjon zhurmën, lë gjithçka dhe hyn e zemëruar në dhomë. Në një anë qëndrojnë dy vëllezër që grinden, ndërsa në anën tjetër vazoja e thyer. Çfarë mendoni, në çfarë gjendje psikike do të ndodhën fëmijët nëse nëna pyet: “Kush e theu këtë vazo? Më tregoni menjëherë!”
Nëse fëmija që ka thyer vazon thotë: “Nënë, unë e theva”, vështirë se do të shpëtonte nga zemërimin e saj. Nëna, e cila ka gjasa të krijojë një atmosferë të tillë, e shtyn fëmijën e saj të thotë: “Nuk isha unë që e theva”, dhe në këtë mënyrë, ai nis një rrugë të gabuar për të ruajtur dinjitetin e tij. Ky reagim i fëmijës paraqet një çrregullim në sjellje. Për shkak të presionit psikologjik, fëmija zgjedh këtë rrugë të gabuar për të mbrojtur krenarinë dhe dinjitetin e tij. Çka është më e rëndësishme, gënjeshtrat e para zakonisht fillojnë për arsye të ngjashme.
Fëmija që në fillim përdor gënjeshtrën për t’u mbrojtur nga presioni, më vonë kupton sa “e dobishme” mund të jetë gënjeshtra (sipas perceptimit të tij) dhe fillon ta përdorë këtë zakon në faza të ndryshme të jetës.

Çfarë është më e rëndësishme: një apo njëqind vazo të thyera, apo detyrimi i fëmijës të gënjejë?

Nëse prindërit do ta dinin se një gënjeshtër ndikon si helm në botën e fëmijës, asnjë prind nuk do të pyeste kurrë: “Kush e theu këtë vazo?” – një informacioni i tillë nuk do t’i interesonte fare.
Pavarësisht nga mosha e fëmijës, qoftë tre apo pesë vjeç, nëse ndjen presion të fortë, fëmija do të plotësojë nevojën e tij njerëzore për të shpëtuar nga ai presion dhe do të zgjedhë metodën më primitive, pra, gënjeshtrën.
Shumë prindër, ndërsa rrisin fëmijët e tyre, thonë: “Bir (bijë), mos gënje kurrë, edhe nëse e di se do të vdesësh.” Por, kur përballen me një gabim të fëmijës së tyre, fatkeqësisht, ata nuk arrijnë të tregojnë të njëjtin qëndrim fisnik, e as t’i qasen fëmijëve të tyre me tolerancë dhe mirëkuptim.
Gënjeshtra është një tipar i përbashkët i shumicës së fëmijëve që rriten nën presion emocional dhe psikologjik. Nëse analizohet fëmijëria e çdo të rrituri që ka përsosur artin e gënjeshtrës, do të shihet i njëjti model.
Nëse prindërit nuk duan të ndihen të turpëruar nga fakti që fëmija që kanë rritur gënjen, atëherë ata nuk duhet të ushtrojnë presion mbi ta. Megjithatë, shumë prindër të sotëm gjatë edukimit të fëmijëve të tyre përdorin presionin dhe dhunën emocionale e psikologjike.
Shumë prindër nuk e dinë që fëmija i tyre, kur ndodhet nën presion, fiton zakonin e gënjeshtrës. Për më tepër, duke kërcënuar fëmijën me fjalët: “Mos guxo të gënjesh, sepse do të shkatërroj,” ata shkatërrojnë personalitetin e tij. Sepse fëmija, nga njëra anë, ndjen nevojën për të gënjyer për shkak të presionit që përjeton, dhe nga ana tjetër, e di se do të përballet me një presion tjetër nëse nuk gënjen.

Gënjeshtra është një sjellje e mësuar

Gënjeshtra në të njëjtën kohë është edhe një sjellje e cila mësohet. Duke shikuar prindërit, fëmija mëson si të zgjidhë situatat që nuk shkojnë si duhet. Gënjeshtra gjithmonë mbetet vetëm gënjeshtër, edhe kur prindërit e quajnë atë “gënjeshtër e bardhë”. Fëmija nuk duhet të mësojë nga prindërit se si të gënjejë. Ky lloj prindërimi është i dëmshëm për fëmijën, por gjithashtu është e dhimbshme  të shohësh pas disa vitesh gjendjen e një fëmije që është rritur me këtë model.
Për shembull, një nënë që thotë: “Djali im e bëri detyrën e shtëpisë mbrëmë, por për shkak se dolëm me ngut nga shtëpia, fletorja mbeti mbi tryezë. Mësuese, a mund ta sjellim nesër?” përpiqet të mbrojë fëmijën e saj që nuk i ka bërë detyrat. Por në të vërtetë, ajo me këtë sjellje helmon mendjen e tij. Sepse fëmija mëson nga prindi në cilat situata gënjeshtra është “e dobishme” dhe si të gënjejë pa ndjerë turp.
Po të dinin prindërit se në vitet në vijim kjo “aftësi” që ia kanë mësuar fëmijës për disa minuta do të krijonte bazën për shumë probleme, nuk do të kishin thënë as edhe një “gënjeshtër” të vetme.
Prindërimi është një monument nderi dhe krenarie. Asnjë fëmijë nuk ndjen kënaqësi apo krenari kur sheh nënën e tij të bjerë në një nivel të tillë e të gënjejë. Për të edukuar një fëmijë nevojitet ndjeshmëri. Është e domosdoshme të respektohen rreptësisht disa vlera, dhe ndershmëria është ndoshta më e rëndësishmja nga këto vlera.

Bota e gënjeshtrave të fëmijës

Në sjelljen e fëmijëve ekzistojnë disa veprime që nuk mund të përkufizohen si gënjeshtra, dhe prindërit duhet të jenë të informuar për këtë.
Shikuar nga ky këndvështrim, nuk mund t’i quajmë gënjeshtra disa deklarata të pavërteta që fëmija bën deri në moshën gjashtë vjeç. Kjo për shkak se fëmijët nën gjashtë vjeç ende nuk e ndajnë qartë botën e imagjinatës nga realiteti. Për pasojë, ata vetë besojnë në diçka që kanë krijuar në botën e tyre imagjinare dhe e ndajnë atë me të tjerët si të ishte e vërtetë. Në këtë situatë, nuk ka nevojë që prindërit të shqetësohen, sepse ajo që fëmija thotë nuk është gënjeshtër në kuptimin që ne e njohim.
Për shembull, një fëmijë trevjeçar, ndonjëherë, në imagjinatën e tij, shkon në shkollë. Në shkollë, ai bisedon me mësuesen e tij. Madje, merr një laps dhuratë prej saj. Fëmija, pa pyetur, merr një laps nga çanta e motrës së tij, duke menduar se ia ka dhënë mësuesja. Edhe pse motra i thotë: “Ky laps është imi, ma kthe,” fëmija do të këmbëngulë duke thënë: “Nuk është i yti. Mua ma ka dhënë mësuesja.”
Në një situatë të tillë, prindërit nuk duhet të lëndojnë ose poshtërojnë fëmijën dhe nuk duhet t’i shkatërrojnë botën e tij imagjinare duke thënë: “Gënjeshtar i vogël! Ktheja lapsin motrës! Çfarë mësueseje, ti as që shkon në shkollë!”

Çfarë duhet bërë me një fëmijë që gënjen

Nëse gënjeshtra, si ves, tek fëmija vazhdon edhe pas moshës gjashtë ose shtatë vjeç, atëherë prindërit duhet fillimisht të rishikojnë sjelljen e tyre, pastaj mjedisin e fëmijës dhe më pas vetë fëmijën, sepse me siguri ka diçka nga e cila fëmija e ka mësuar këtë ves të keq. Kjo mund të jetë një serial televiziv, një shok shkolle, vetë prindërit ose ndonjë tension i panevojshëm në shtëpi.

Sjellja e gënjeshtrës në jetën e përditshme tek një fëmijë mbi moshën gjashtë ose shtatë vjeç mund të konsiderohet një “çrregullim i sjelljes”. Në këtë situatë, prindërit duhet të ndërmarrin masa të caktuara. T’i thuash fëmijës: “Mos guxo më të gënjesh, përndryshe do të të…” nuk është zgjidhje, sepse nëse fëmija gënjen tashmë për shkak të presionit dhe frikës, një qasje e tillë vetëm sa do ta ndihmojë të përmirësohet në artin e gënjeshtrës.

Ndonjëherë nuk është e nevojshme të theksohet gënjeshtra e fëmijës ose t’i përmendet direkt. Përndryshe, fëmija mund ta etiketojë veten si gënjeshtar, dhe ky çrregullim sjelljeje, i cili ka filluar si gënjeshtër, mund të pranohet prej tij si një dobësi e personalitetit të tij. Pavarësisht nga gjithçka, fëmija nuk duhet kurrë ta pranojë paformësinë e karakterit dhe as ta konsiderojë atë si të përshtatshme për veten.

Një fëmije që gënjen duhet t’i tregohen tregime para gjumit, duke ilustruar në mënyrë të gjallë sjelljen e keqe të personazheve që gënjejnë. Në këtë rast, është e rëndësishme të shmangen shprehjet që e identifikojnë fëmijën me personazhet e tregimit. Për shembull, nëse fëmija është shtatë vjeç, personazhi gënjeshtar i tregimit, i cili më vonë çlirohet nga ky zakon i keq, nuk duhet në asnjë mënyrë të jetë shtatë vjeç. Edhe nëse fëmija pyet nëse personazhi i tregimit është ai vetë, prindërit duhet të thonë “jo” dhe t’i shpjegojnë arsyen për këtë.

“Gabimet në edukimin e fëmijëve”

Pedagogu Adem Güneş