Nga: Ekrem Zajmi
Zhvillimi ekonomik i bazuar në industri e prodhim, e rrit në mënyrë proporcionale kërkesën për resurse e energji. Turqia është njëra nga shtetet me ekonomi në zhvillim e cila pothuaj se varet tërësisht nga importi i burimeve energjetike nga jashtë. Me rreth 92% të karburanteve dhe me rreth 99% të gazit natyror të importuar kryesisht nga Rusia (33%), Azerbajxhani (21%) dhe Irani (17%), zhvillimi i saj ekonomik e industrial është në një far forme i hendikepuar. Në gjithë këtë panoramë, le të shohim së bashku se cili është roli i gazit natyror që Turqia e zbuloj në Detin e Zi?
Shndërrimi në një bosht të furnizimit me energji
Projekti i Turqisë për tu shndërruar në një bosht transitor të furnizimit me energji për shtetet evropiane, fillon me futjen në inventarin e saj gjurmues të anijeve të para sizmike dhe më pas me projektet si Rrjedha Turke dhe TANAP në fillim të dhjetëvjeçarit që lamë pas.
‘Myzhdeja’ që ju dha popullit turk nga Presidenti Erdğoan në muajin Gusht për zbulimin e 320 miliard m3 të gazit natyror në Detin e Zi, u shoqërua me një tjetër ‘myzhde’ që u dha në këtë të shtunë për zbulimin e 85 miliard m3 të tjera. Të dyja së bashku, e arrijë shumën prej 405 miliard m3 gaz natyror të zbuluar deri në këtë moment kur anijet shpuese dhe ato sizmike, po i vazhdojnë aktivitetet e tyre ndarazi në Detin e Zi dhe në atë të Mesdheut Lindor. Zbulimet në Detin e Zi do të forcojnë edhe më shumë pozicionin e Turqisë si një bosht transitor dhe do të shtojnë gjithashtu një dimension të ri për sigurinë e energjisë duke e shndërruar atë në një vend energjetik. Kështu, ky gaz do të bëjë që Turqia të jetë një aktore e rëndësishme në gjeopolitikën energjetike ndërkombëtare.
Megjithatë, një shtet si Turqia e cila pothuaj se të gjitha nevojat e furnizimit me gaz natyror i mbulon nga importi, rezervat e zbuluara nuk e zgjedhin problemin e furnizimit; Turqia do vazhdoj të jetë e varur nga importi. Nëse do marrim si mostër vitin 2019, Turqia brenda këtij viti ka importuar rreth 45 miliard m3 gaz natyror, në shkëmbim të afro 13 miliard Dollarëve Amerikan. Nëse nisemi nga kjo premisë dhe pretendojmë se Turqia do jetë e gatshëm për të përpunuar 45-50 miliard m3 në vit, atëherë me sasinë e gazit të zbuluar deri më tani, Turqia do ti mbulonte nevojat e veta energjetike për jo më shumë se 9-10 vite. Gjithsesi, meqë furnizimi më një kapacitet të këtillë është i pamundur (së paku në 5 vitet e ardhshme), gjasa optimale është që pas vitit 2023, në rast të një prodhimi prej 10 miliard m3, Turqia do ti plotësonte nevojat e veta për konsum në rreth 20%. Në këtë mënyrë, vit pas viti, gradualisht, mund të e zvogëlojë varësinë nga jashtë.
Në anën tjetër, kjo sasi e gazit të zbuluar, nëse e krahasojmë më shtetet tjera që kufizohen me Detin e Zi, si Bulgaria dhe Romania nuk është aspak për tu nënvlerësuar. Për shembull, Romania, rekordin e rezervave më të mëdha të gazit natyror të zbuluar ndonjëherë në Detin e Zi e ka 44.82 miliard m3.
“Ky është vetëm fillimi”
Presidenti i Turqisë Erdoğan, në ceremoninë e njoftimit të zbulimit të rezervave të para kishte thënë se “zbulimi i rezervave ekzistuese është vetëm fillimi, në muajt dhe vitet në vazhdim do ketë shumë lajme të këtilla gëzimi.”
Anija e parë vendore turke për kryerjen e kërkimeve dhe sondazheve “FATIH”, pas gjurmimeve të bëra në Mesdhe, në mes të Korrikut 2020 filloj aktivitetin e saj të kërkimit të gazit natyror dhe të derivateve të naftës në Detin e Zi. Pas vetëm më pak se një muaj e gjysmë, u soll lajmi për zbulimin e sasisë së parë të energjisë së hidrokarbureve prej 320 miliard m3, e cila po konsiderohet si zbulimi më i madh botëror për vitin 2020. Në një gjatësi pothuaj se të njëjtë kohore, qytetarëve turq ju vije myzhdeja e dytë. Nëse nisemi nga kjo e dhënë, atëherë mund të pritet që në një të ardhme të afërt, të njoftohen rezerva të tjera.
Kjo tezë bëhet ende më e fuqishme kur i shtojmë faktin se në të dyja, në Detin e Zi dhe në Mesdheun Lindorë, po e vazhdojnë aktivitetin e tyre të kërkimit 4 anije turke – 2 anije shpuese (Fatih dhe Yavuz, ndërkohë që anija e tretë Kanuni, është në përgatitje) dhe 2 anije sizmike (Barbaros Hayredin Paşa dhe Oruç Reis). Krahas këtyre, Presidenti i vendit Erdoğan, së bashku me lajmin për zbulimin e rezervave të reja, njoftoj po ashtu mbi prodhimin vendor të një roboti hulumtues të emëruar “Kaşif” – eksplorues. Me anë të këtij roboti të dirigjuar, gjurmimet për rezerva të reja do të fitojnë një dinamik të re. Sidoqoftë, sipas ekspertëve, Turqisë i duhen 15 – 20 vite kohë për të hulumtuar dhe shpuar për rezerva të reja në të gjitha plantacionet e ‘saj’ detare.
Efektet e Energjisë për Turqinë
Si rezultat i recesionit ekonomik që ka shkaktuar pandemia Covid 19, çmimet e energjisë kanë rënë dukshëm në tregun botërorë dhe si rezultat edhe investimet në këtë sektor kanë shënuar rënje. Përkundër kësaj, Turqia i ka rritur investimet në fushën e gjurmimeve për burime energjetike.
Ky zbulim po e hap derën e një epoke të re në ekonominë vendase; nga momenti kur ky gaz do rrjedhë nëpër gypa drejtë brigjeve turke, do shkaktojë së paku tri efekte të rëndësishme në ekonomi:
Efekti i parë: Shumat miliardëshe të paguara në shtetet eksportuese të gazit, do mbeten në Turqi. Kështu, do shënohet një rritje modeste në ekonominë e shtetit dhe në të ardhurat për kokë banori.
Efekti i dytë: Duke qenë se pavarësimi i plotë për sa i përket furnizimit me gaz natyror është i pa mundur me kapacitet aktuale, fakti që kontratat afatgjata të furnizimit ri negociohen në afte të caktuara kohore, kjo do ti jep Turqisë komoditetin dhe mundësinë për të negociuar çmime shumë më të favorshme për qytetarët e vet.
Efekti i tretë: Ulja e kostos së gazit natyror për sektorin e industrisë ku energjia përdoret me të madhe, do të reflektonte në mënyrë të drejtpërsëdrejtë në uljen e kostos së prodhimit vendas, dhe kështu, në uljen e çmimeve për qytetarët duke i bërë prodhimet vendore akoma më të favorshme në tregun vendor dhe në atë ndërkombëtarë.
(Pa)Varësia energjetike dhe siguria kombëtare
Krahas efektit ekonomik, zbulimi i rezervave të energjisë është i rëndësisë gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Pavarësia energjetike për shtetet e industrializuara mund të ndikojë thellësisht në vendimet politikës së brendshme, ndërkohë që posedimi i ‘kartës’ së karburanteve i shton opsionet e politikës së jashtme.
Tensionet në mes të Rusisë dhe Ukrainës në vitet 2008-2009, të cilat shkaktuan ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror të kësaj të fundit, i ndezi kombonat alarmuese për Turqinë. Importi i gazit natyror rus në Turqi gjatë atij viti kishte arritur në 62%. Gjithsesi, varësia e lartë në naftën dhe gazin natyror të importuar është rrezik serioz për sigurinë kombëtare të një shëtiti. Konsekuencat e saj mund të jenë si kushtëzimet në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, rritja e mundshme enorme e çmimit, e deri tek mundësia e ndërprerjes së furnizimit, siç ishte rasti me krizën e vitit 2015 kur Turqia, pas rrëzimit të një aeroplani luftarak rus u kërcënua me ndërprerje të furnizimit me energji në mes të dimrit të acartë të atij viti. Zbulimi i rezervave aktuale të hidrokarbureve dhe gjasa për zbulim të rezervave të tjera, krahas rritjes së të ardhurave, gjithsesi se do të ndikojë drejtpërsëdrejtë edhe në rritjen e sigurisë kombëtare të Turqisë.
Derisa, gjurmimet për rezerva të gazit natyror dhe të naftës në Detin e Zi vazhdojnë në qetësi, tensionet në mes Turqisë dhe Greqisë në lidhje me përkatësinë detare në Mesdheun Lindor sa vijnë e shtohen.
Së fundmi, duhet gjithashtu të theksohet se zbulimi i rezervave, qoftë i gazit natyror apo i derivateve të naftës është diçka tjetër; nxjerrja, përpunimi dhe shfrytëzimi i saj është po ashtu diçka tjetër. Deri sa praktika e shteteve të tjera në vënien në shfrytëzim të rezervave të zbuluara flet për një periudhë të nevojshme prej 6-8 vjet, synimi i Turqisë për ta bërë këtë në jubileun e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit – në vitin 2023 – duket shumë ambicioze. Sidoqoftë, nuk duhet të injorohet fakti që jo çdo projekt dhe sipërfaqe është e njëjtë, përderisa secila ka karakteristika të ndryshme.
*Autori i këtij teksti është kandidat për titullin e doktoratës mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Ankara Yıldırım Beyazit University.