Gazetari palestinez Alhelou: Pa lirinë e popullit palestinez, liria e botës është e mangët

Gazetari dhe analisti politik palestinez, me banim në Britaninë e Madhe, Yousef Alhelou, duke theksuar se kolegët e tyre në Palestinë “janë zëri i të pazëshmëve”, tha se pa lirinë e popullit palestinez, liria e botës është e mangët.

Në një bisedë me gazetarin e Anadolus, në kuadër të vizitës së tij në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, për të marrë pjesë në një aktivitet, Alhelou foli rreth gjenocidit që Izraeli po kryen në Gaza.

“Gazetarët palestinezë janë zëri i të pazëshmëve”, tha ai.

Gazetari palestinez theksoi se mediat perëndimore zakonisht janë proizraelite dhe të njëanshme, prandaj adresimi i zhvillimeve në lidhje me palestinezët ka një kuptim të madh për ta. Ai tha se gjenocidi në Gaze nuk ka filluar një vjet më parë, porse i janë nënshtruar persekutimit tashmë 76 vjet.

Siç shprehet ai, është një detyrim moral për ta që të përpiqen ta njoftojnë botën rreth asaj që ka ndodhur. “Kemi humbur shumë kolegë. Izraeli u përpoq të censuronte narrativën palestineze, të vendoste kufizime dhe të impononte një ndërprerje mediatike, prandaj parandaloi hyrjen e çdo gazetari të huaj në Gaza”, tha Alhelou.

Alhelou potencoi se Izraeli e ka kthyer Gazën në kampin më të madh të përqendrimit dhe të shfarosjes në botë ku kryen të gjitha llojet e masakrave, duke shtuar se në Shkup ka parë se njerëzit i kushtojnë vëmendje vuajtjeve të palestinezëve në Gaza.

“Jam me fat që e pashë Gazën para se të shkatërrohej”

Sipas tij, çështja nuk është politike por plotësisht njerëzore, ndërsa tërhoqi vëmendjen se Izraeli ka vrarë edhe palestinezë të krishterë, ndërsa ka shkatërruar edhe kisha, xhami, universitete, furra dhe spitale.

Ai tregoi se edhe vetë ka lindur në Gaza dhe kujtoi se me trishtim është detyruar t’i braktisë vendlindjen. “Kam ndjekur arsimin tim në shkollat ​​e Kombeve të Bashkuara (OKB). Kam humbur njerëz të dashur, kam humbur motrën time, nipat dhe mbesat, kushërinjtë. Shkatërrim total. Unë isha gazetari i fundit që mbulova bukuritë e Gazës. Strukturat simbolike, vendet turistike, vendet historike. Pothuajse kam përfunduar së realizuari filmin tim dokumentar për Gazën, e cila fatkeqësisht është shkatërruar përgjithmonë”, theksoi Alhelou.

“Dhjetorin e kaluar një avion luftarak izraelit F-16 bombardoi shtëpinë e motrës sime dhe si pasojë ajo dhe gjashtë fëmijët e saj u vranë dhe janë ende nën rrënoja. Jam me fat që i vizitova verën e kaluar dhe jam me fat që e pashë Gazën para se të shkatërrohej”, shpjegoi ai më tej.

Duke theksuar se Izraeli ka vrarë civilë dhe i justifikon sulmet e tij, Alhelou vazhdoi:

“Izraelit nuk i interesojnë pengjet. Izraeli është i interesuar të pastrojë etnikisht popullsinë e Gazës. Nuk i pëlqen demografia e Gazës. 2,5 milionë njerëz jetojnë në Gaza. Ata refuzojnë të zhduken. Izraeli është i mërzitur nga vendosmëria e palestinezëve, sepse ne nuk shkojmë askund. Njerëzit luftojnë për vetëvendosje dhe për liri. Këto sakrifica nuk duhet të shkojnë kot. Jemi të sigurt se Izraeli nuk do të jetë në gjendje të lustrojë imazhin e tij të njollosur, sepse do të njihet përgjithmonë si një vend që përdor gënjeshtra dhe trillime për të justifikuar një gjenocid”.

“Historia nuk do të tregojë mëshirë për ju”

Nëpërmjet Anadolus, gazetari palestinez dha një porosi për botën: “Mesazhi im është ky: Na zhgënjyet në mënyrë të mjeruar. Ne e dimë që ju mund të ndaloni gjenocidin, mund t’i ushtroni presion Izraelit për të arritur një armëpushim, por ju jeni hipokritë, keni standarde të dyfishta”.

“Ne jemi viktima. Na keni parë duke u masakruar ditë pas dite, por historia nuk do të tregojë mëshirë për ju”, tha ai, duke theksuar se Izraeli njihet si viktimizues.

Ai gjithashtu shprehu respekt për të gjithë popujt e botës që po vazhdojnë protestat e mbështetjes ndaj Palestinës, duke shtuar: “Pa lirinë e popullit palestinez, liria e botës është e mangët”.