Instituti për Kërkime të Gjenocidit “Kanada” (IGK) ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Bosnje e Hercegovinës kundër gazetarit të Tanjug-ut, Marko Ivas, për mohimin publik të gjenocidit në Srebrenicë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Instituti rikujtoi se gazetari i Tanjug-ut, Marko Ivas, në zyrën e kryesuesit të Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zheljko Komshiç, në Sarajevë, gjatë një interviste të mbajtur dje, mohoi gjenocidin në Srebrenicë, i cili ishte përcaktuar me vendime të plotfuqishme të gjykatave ndërkombëtare dhe kombëtare, me çka ai kreu vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës.
Si dëshmi e pretendimeve të bëra, IGK-ja ka dorëzuar prova materiale nga mediat që tregojnë qartë dhe pa mëdyshje mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, e cila është vepër penale.
IGK rikujton se Komshiç gjatë intervistës ka thënë se gjenocidi në Srebrenicë është përcaktuar me vendime të gjykatave ndërkombëtare dhe se kjo nuk mund të diskutohet.
Gazetari më pas tha se “ky ishte qëndrimi i Komshiçit”, me ç’rast kryesuesi i Presidencës së BeH-së ndërhyri duke thënë se: “Jo, ky nuk është qëndrimi im, ashtu shkruan në aktvendim”.
“Me të cilën jeni dakord”, shtoi gazetari dhe Komshiç e pyeti: “Ju nuk jeni?”.
“Unë nuk pajtohem me atë vendim”, u përgjigj gazetari i Tanjug-ut, pas çka Komshiç hoqi mikrofonin dhe ndërpreu intervistën.
“Gazetari nuk është marrë me fakte, por me komente dhe mendimin e tij që mohon drejtpërdrejt faktet gjyqësore, shkencore dhe historike për gjenocidin në Srebrenicë. Duke mohuar gjenocidin në Srebrenicë, gazetari poshtëroi viktimat e gjenocidit por edhe gjykatat ndërkombëtare, drejtësinë ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare, veçanërisht OKB-në”, theksoi IGK.
Ekipi Ligjor i IGK-së konsideron se provat materiale të paraqitura nga gazetari i dyshuar pa mëdyshje përbëjnë shkelje të qëllimshme të dispozitave të Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, i cili thotë:
“Kushdo që miraton publikisht, mohon, minimizon rëndë ose përpiqet të justifikojë krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit ose krimet e luftës të përcaktuar me vendim të formës së prerë në përputhje me Kartën e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare aneksuar në Marrëveshjen e Londrës të 8 gushtit 1945 ose Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavin ose gjykatës në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe drejtohet kundër një grupi personash ose një anëtari të një grupi të përcaktuar nga raca, ngjyra, feja apo origjina kombëtare ose etnike, në atë mënyrë që mund të nxisë dhunë ose urrejtje të drejtuar kundër këtij grupi personash ose një anëtari të një grupi të tillë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet”. /aa