Trajneri Besnik Hasi formalizoi para pak javësh kalimin e bujshëm te skuadra më e njohur e futbollit grek dhe jo pak shqiptarë e panë këtë me dyshim sesi mund të zhvillohej marrëdhënia e një shqiptari në ekipin kampion helen.
Dhe ja ku erdhën edhe fraksionet e para…
Olimpiakos barazoi 1-1 në një miqësore ndaj Asteras Tripolis në vazhdën e përgatitjeve për sezonin e ri dhe në konferencën për shtyp u prezantua me krenari.
“Jam nga Kosova e Shqipërisë”, tha Hasi.
Por trajneri shqiptar gjeti një përgjigje kontroverse nga një gazetar në sallë, që ka ndezur jo pak opinionin në Greqi, por gjithashtu në Serbi.
“Zotëri jeni gabim, Kosova është e Serbisë” i është përgjigjur gazetari.
Grupimet e ultrasve të Olimpiakos kanë marrëveshje bashkëpunimi dhe ruajnë raporte miqësore me tifozët radikalë të Crvena Zvezdës dhe grupin famëkeq Delije, çka nuk do ta ndihmojë Besnik Hasin në punën e tij. Nëse kësaj i shtohen përballjet e radhës në Ligën e Kampioneve ndaj Partizanit të Beogradit me të parën në 25 korrik, si dhe ritet fetare të zakonshme që jo çdokush i pëlqen, te Olimpiakos situata bëhet vërtet e nxehtë.