Gazetari amerikan dënon injorimin e mediave perëndimore ndaj kr’imeve të lu’ftës të Iz’raelit

Max Blumenthal

Fytyra e vërtetë e luftës së Izraelit në Gaza fshihet nga opinioni publik perëndimor përmes injorimit të sulmeve dhe krimeve të luftës nga ana e mediave perëndimore, thotë gazetari amerikan Max Blumenthal.

Blumenthal, kryeredaktor i uebsajtit të pavarur të lajmeve “The Grayzone”, foli për Anadolu në një konferencë në Istanbul për pikëpamjet e tij se si media perëndimore portretizon sulmet e Izraelit në Gaza dhe për rolin e SHBA-së në konfliktin izraelito-palestinez.

“Më 7 tetor, mediat perëndimore nuk treguan humbjet që ushtria izraelite pësoi nga Hamasi dhe fraksionet e tjera në Gaza. Ato u fokusuan ekskluzivisht në rrëmbimin e civilëve dhe më pas filluan jo vetëm me vrasjet që ndodhën ndaj civilëve më 7 tetor, të cilat ishin reale dhe të dokumentuara, por duke sajuar mizori rreth foshnjave me koka të prera dhe foshnjave të djegura në furra, e kështu me radhë, me qëllim që të krijonin një levë dhe hapësirë ​​politike për Izraelin për të shkatërruar plotësisht Gazën”, tha Blumenthal.

Ai tha se mediat perëndimore nuk i kanë dhënë mjaftueshëm mbulim ngjarjeve të fundit në Gaza, si vrasja e një punonjësi të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) dhe bombardimi i kampit të refugjatëve Jabalia.

“Tani ne shohim shumë pak për Gazën. Izraeli po bombardon shumë fort veriun e Gazës. Ata sapo vranë kreun e UNRWA-së, njeriun përgjegjës për shpërndarjen e ushqimit dhe ndihmave. Ata kanë vrarë qindra në ditët e fundit në kampin e refugjatëve Jabalia, dhe mediat perëndimore nuk po e mbulojnë fare këtë. Ato janë të fokusuara në sulmin e Izraelit ndaj Libanit. Ky është lajmi”, tha Blumenthal.

– “SHBA është pengesa kryesore për paqen”

Duke përmendur standardet e dyfishta të mediave perëndimore, Blumenthal kritikoi mbulimin hipokrit mediatik.

“Mediat perëndimore gjithashtu nuk po tregojnë atë që izraelitët janë krenarë të tregojnë. Për shembull, ushtarët izraelitë po tregojnë veten duke hedhur në erë shtëpi për argëtim, duke qëlluar në shtëpi për argëtim, duke veshur të brendshme femrash në shtëpitë që i kanë okupuar, në llogaritë e tyre në TikTok. Mediat perëndimore nuk e kanë mbuluar kurrë këtë çështje”, tha ai.

“Ato gjithashtu nuk e kanë mbuluar kurrë Direktivën Hannibal, e cila ishte urdhri i dhënë nga Izraeli më 7 tetor për të vrarë qytetarët dhe ushtarët e tyre që u kapën rob. Mendoj se problemi më i madh me mediat perëndimore është më shumë në atë që nuk e tregojnë sesa në atë që e tregojnë. SHBA-ja është pengesa kryesore për paqen në Izrael-Palestinë”, shprehet më tej.

– “Blinken autorizoi sulme ndaj kolonave të ndihmave humanitare”

“Ne po mësojmë tani se Sekretari i Shtetit (i SHBA-së) Antony Blinken autorizoi sulme ndaj autokolonave të ndihmave humanitare pasi gënjeu për bllokimin e ndihmës nga Izraeli. Ky është një figurë që ka qenë shumë afër lobit izraelit”, tha Blumenthal.

Duke tërhequr vëmendjen për ndikimin e lobit izraelit në Washington dhe sesi ai ndikon në politikat amerikane, ai theksoi se problemi më i madh në Washington për këtë çështje është “roli i lobit izraelit dhe miliarderëve që mbështesin Izraelin në financimin e zgjedhjeve”.

Blumenthal tha se nuk ka kufi se sa një person mund të dhurojë për një kandidat në SHBA.

“Ne kishim dy politikanë shumë të vegjël në SHBA që ishin anëtarë të Kongresit, të dhomës së ulët, të cilët shpreheshin hapur për Palestinën, duke bërë thirrje për armëpushim dhe pezullimin e armëve ndaj Izraelit: Cori Bush dhe Jamal Bowman. Lobi izraelit, AIPAC, shpenzoi 20 milionë dollarë për t’i mposhtur ata. Kjo është më shumë se sa shpenzohet në zgjedhje të tëra në shumë vende të botës. Pra, nuk ka asnjë mundësi ndryshimi në Washington në këtë pikë”, theksoi Blumenthal.

Duke vënë në dukje se ndryshimi mund të ndodhë vetëm “në skenën botërore”, Blumenthal tha se “e vetmja mënyrë se si do të shohim ndryshim është nëse organizatat lobuese të Izraelit si AIPAC duhet të regjistrohen si agjentë të huaj dhe të raportojnë aktivitetet e tyre”.

– Lëvizja e Solidaritetit me Palestinën në SHBA “ka ekspozuar një nga kontradiktat më të mëdha të Perëndimit”

Duke komentuar rolin në rritje të aktivizmit global pas sulmeve të Izraelit në Gaza, Blumenthal tha se “Lëvizja e Solidaritetit me Palestinën në SHBA ka ringjallur një lëvizje anti luftës që në thelb ishte e vdekur para 7 tetorit”.

Ai theksoi rolin e lëvizjes në ekspozimin e kontradiktave brenda institucioneve amerikane, duke përfshirë “përpjekjet për të shtypur protestat në universitete” dhe “përpjekjet e Kongresit për të kufizuar fjalën e lirë”.

Blumenthal shtoi se “është e rëndësishme që amerikanët ta shohin këtë. Ata kanë ekspozuar një nga kontradiktat kryesore të Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara në veçanti”.

– “OKB-ja nuk është në gjendje të ndërhyjë për të penguar dhunën izraelite dhe amerikane”

Duke kritikuar hipokrizinë e “rendit të bazuar në rregulla” të Perëndimit, Blumenthal shprehu dyshime për rendin aktual global.

Ai theksoi se dështimi i institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht i OKB-së, ka kontribuuar në përshkallëzimin e dhunës. “Kombet e Bashkuara janë treguar të padhëmbë, plotësisht të dobëta, sepse nuk janë në gjendje të ndërhyjnë ose të bëjnë asgjë për të penguar dhunën izraelite dhe amerikane”, u shpreh ai.

Blumenthal paralajmëroi për mundësinë e një konflikti të zgjatur në rajon, duke thënë se “për shkak të dështimit të institucioneve ndërkombëtare, të cilat janë krijuar nga Perëndimi dhe janë ngritur për të dështuar, ne po shohim që kjo luftë po zgjerohet në atë që unë mendoj se mund të jetë një lufta 20-vjeçare”.