Një ekip gazetarësh i Anadolu Agency (AA) hyri dhe ka bërë fotografi në provincën afgane Panjshir, ku lëvizja talibane mori kontrollin dje nga forcat rebele lokale.
Talibanët theksuan dje në mëngjes se kanë marrë kontrollin e Panjshir-it, që u bë provinca e fundit nga 34 provincat afgane nën kontrollin e talibanëve.
Gazetarët e AA-së arritën të hyjnë në kryeqytetin e provincës, Bazarak, dhe të fotografojnë objektet në qendër të qytetit pranë selisë së administratës provinciale.
Panjshir është rreth tre orë me makinë nga Kabuli, ndërsa ka rritje të dukshme të postblloqeve kontrolluese të mbajtura nga talibanët në rrugë.
Dyqanet janë të mbyllura në rrethet Shotul dhe Anaba, dhe vetëm disa civilë mund të shihen në rrugë.
Mediat botërore ditët e fundit kanë raportuar për përplasjet në Panjshir, ndërsa reporterët e AA-së ishin të parët që hynë dhe filmuan dhjetëra luftëtarë talibanë të vendosur me automjete të blinduara. Ndërtesa e administratës provinciale kontrollohet nga talibanët dhe të shtënat me armë ende mund të dëgjohen nga kodrat përreth qytetit. Talibanët pohojnë se luftëtarët e Forcës së Rezistencës Kombëtare janë tërhequr plotësisht nga provinca Panjshir.
Talibanët thanë se lufta në Afganistan përfundoi pasi ata morën kontrollin e kesaj province.
Rezistencë ndaj talibanëve në Panjshir bënë pjesëtarët e Forcës së Rezistencës Kombëtare, e udhëhequr nga Ahmed Mesud, djali i ish-ministrit afgan të Mbrojtjes Ahmed Shah Mesud. Gjatë konfliktit njëjavor, të dyja palët pësuan humbje të mëdha. /aa