Gazeta izraelite: Netanyahu dje vizitoi Arabinë Saudite dhe takoi princin e kurorës

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu dje në mënyrë të fshehtë ka shkuar në Arabinë Saudite dhe është takuar me princin e kurorës, Muhammed bin Salman, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi të fundit të gazetës izraelite Haaretz, Netanyahu mbrëmë bashkë me kreun e inteligjencës izraelite Mossad, Yossi Cohen, ka vizituar qytetin Neom të Arabisë Saudite.

Netanyahu këtu është takuar me princin saudit të kurorës, Muhammed bin Salman, ndërsa në takim përveç Cohen ka marrë pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Zyra për shtyp e kryeministrisë izraelite nuk ka bërë ndonjë koment mbi çështjen, por as nuk e ka mohuar lajmin.

Më parë në lajmet në mediat izraelite pretendohej se pas zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën më 3 nëntor në SHBA, do të fillohen negociatat për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe disa vendeve, përfshirë Arabinë Saudite.