Gazeta e he’brenjve fetarë në Iz’rael kundërshton ba’stisjet e fa’natikëve në Al-Ak’sa

Gazeta “Yated Neeman” në Izrael, e cila njihet si gazetë e hebrenjve fetarë, me një tekst në gjuhën arabe kundërshton bastisjet e hebrenjve fanatikë në xhaminë Al-Aksa, transmeton Anadolu.

Në shkrimin në faqen e titullit, që përveç arabishtes u publikua edhe në hebraisht, u tha: “Hebrenjve u ndalohet rreptësisht të ngjiten në Malin e Tempullit (xhamia Al-Aksa)”.

“Kjo pikëpamje, të cilën hebrenjtë e kanë ndjekur me shekuj, nuk ka ndryshuar dhe është ende e vlefshme”, shkruan në shkrimin paralajmërues ku theksohet se ky mendim është i dijetarëve hebre.

Nën mbrojtjen e policisë izraelite, qindra hebrenj fanatikë, të cilëve ndonjëherë iu bashkohet edhe ministri i Sigurisë Kombëtare nga radhët e ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, bastisin shpesh xhaminë Al-Aksa.

Përderisa zona ku ndodhet Al-Aksa është e ndaluar për t’u vizituar sipas besimit hebre, hebrenjtë fanatikë pro-sionistë deklarojnë se duan të ndërtojnë “Tempullin e Solomonit” në zonën ku ndodhet Al-Aksa.

Ben-Gvir më parë në një deklaratë pati pretenduar se politika aktuale “i lejon hebrenjtë të bëjnë adhurime” në Al-Aksa dhe ndaj pyetjes “A do të ndërtonit një sinagogë në xhaminë Al-Aksa?” ai iu përgjigj me “Po”.

Zyra për media e Kryeministrisë izraelite në deklaratën me shkrim pas deklaratave të ministrit Ben-Gvir mbrojti idenë se “status quo”-ja në Al-Aksa nuk ka ndryshuar.

Deklaratat e ministrit Ben-Gvir shkaktuan kritika nga shumë liderë të vendeve dhe institucione ndërkombëtare.