Gazeta e njohur britanike “The Mirror” e ka renditur Shqipërinë në krye të destinacioneve të sugjeruara për 2024-n.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar në “Mirror”, e cila promovon Shqipërinë.
“Edhe gazeta e njohur britanike “The Mirror” u bën jehonë thesareve turistike të Shqipërisë duke nisur nga muzetë e kryeqytetit, amfiteatrit romak të Durrësit, për të zbritur në plazhet e rivierës, pasuritë arkitekturore të Gjirokastrës e për të zbuluar më në brendësi të vendit liqenin e Bovillës apo Parkun e Alpeve”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “për herë të parë Shqipëria është vendosur në raportin e ABTA – shoqata britanike e turoperatorëve dhe udhëtimeve – si një nga 10 vendet që duhen vizituar këtë vit”.
“Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është kozmopolit me muzetë interesantë. Qyteti i dytë më i madh në vend, Durrësi ofron një amfiteatër romak dhe bukuri të tjera arkeologjike, ndërsa zona e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Gjirokastra shfaq pasuri arkitekturore. Shumica e britanikëve do të shkojnë në Rivierën Shqiptare. Saranda ofron plazhet dhe resortet më të bukura me çmime të përbllueshme”, thuhet në shkrimin e “Mirror”.