Gaza, rritet në të paktën 32.226 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

Të paktën 84 palestinezë të tjerë u vranë në Rripin e Gazës gjatë 24 orëve të fundit, derisa Izraeli vazhdon sulmet në enklavën e rrethuar, transmeton Anadolu.

“Forcat okupuese izraelite kryen tetë masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 84 martirë dhe 106 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit. Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, tha Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza.

Numri i palestinezëve të vrarë që nga 7 tetori i vitit të kaluar ka arritur në të paktën 32.226, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 74.518 të tjerë janë plagosur.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Lufta ka çuar 85 për qind të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme, ka shkatërruar ose dëmtuar shumicën e infrastrukturës së enklavës dhe ka krijuar kushte të urisë, pasi dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.