Gaza, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite rritet në 32.782

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se të paktën 32.782 palestinezë janë vrarë dhe 75.298 janë plagosur që nga 7 tetori në ofensivën e vazhdueshme të Izraelit në enklavën e rrethuar, raporton Anadolu.

Një deklaratë e ministrisë tha se nga sulmet izraelite në 24 orët e fundit janë vrarë 77 persona dhe 108 të tjerë të plagosur.

“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, tha ministria.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, ku u vranë rreth 1200 njerëz.

Sipas OKB-së, Lufta izraelite ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas një bllokade shkatërruese të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.