Gaza, numri i palestinezëve të vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit tejkalon 46 mijë

Të paktën 70 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet e pamëshirshme izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga tetori 2023 në 46.006, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 109.378 persona të tjerë u plagosën në sulmet në vazhdim.

“Forcat izraelite vranë 70 persona dhe plagosën 104 të tjerë në tre masakra ndaj familjeve në 24 orët e fundit”, tha ministria, duke shtuar se shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë, pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje të arrijnë deri tek ata.

Izraeli ka vazhduar me luftën gjenocidale në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Viti i dytë i gjenocidit në Gaza ka shkaktuar një dënim ndërkombëtar në rritje, ku gjithnjë e më shumë zyrtarë dhe institucione i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.

Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.