Shtatë palestinezë u vranë në sulmin e ushtrisë izraelite që synonte një shtëpi civile në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të Drejtorisë së Mbrojtjes Civile në Gaza thuhet se Izraeli ka vënë në shënjestër shtëpinë e familjes palestineze Abu Reyyale, e cila ndodhet në pjesën qendrore të qytetit të Gazës.
Raportohet se trupat e pajetë të 7 personave janë nxjerrë nga rrënojat e shtëpisë së shkatërruar nga sulmi dhe se ka edhe të plagosur.
Më tej theksohet se ende ka njerëz në rrënojat e shtëpisë dhe se përpjekjet e kërkim-shpëtimit zhvillohen me vështirësi për shkak të mungesës së pajisjeve.