Gaza të premten ka përjetuar një prej netëve më të rënda të luftës që ka hyrë në javën e tretë. Palestinezët janë në terr informativ pasi nga bombardimet është ndërprerë interneti, teksa të shtunën ushtria izraelite ka zgjeruar operacionin tokësor, duke u arsyetuar se kishte cak militantët e Hamasit
Izraeli ka bombarduar pareshtur Gazën të premten mbrëma para se forcat tokësore të nisnin operacionin të shtunën në mëngjes. Zgjerimi i operacionit tokësor, që po cilësohet edhe si nisje e pushtimit të Gazës, ka nisur me shkëputjen e të gjitha komunikimeve në Rripin e Gazës.
“Telekomunikacioni, interneti janë ndalur tërësisht për shkak të bombardimeve. Palestinezët e kanë të pamundur të komunikojnë me njëri-tjetrin. Kanë thënë se bombardimi ishte i paprecedentë, diçka që nuk e kanë përjetuar kurrë më parë. Lagje të tëra janë shkatërruar. Njerëzit po shkojnë derë më derë në kërkim të familjarëve, duke u përpjekur të mësojnë se çfarë po ndodh. Komuniteti humanitar ka paralajmëruar për situatën katastrofike, sepse nuk ka ujë, ushqim dhe strehë për palestinezët”, ka thënë Sam Mednick, korrespondente e agjencisë së lajmeve “Associated Press” në Jerusalem.
Ushtria izraelite ka deklaruar se është duke zgjeruar operacionet tokësore në territorin palestinez.
“Në Gaza ne kemi avancuar në fazat e luftës. Mbrëmë forcat izraelite të Mbrojtjes kanë hyrë në veri të Rripit të Gazës dhe kanë zgjeruar aktivitetin tokësor. Në këtë aktivitet janë duke marrë pjesë këmbësoria e shoqëruar nga artileria me sulme masive. Zgjerimi i operacionit u shërben qëllimeve të luftës”, ka thënë Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.
Izraeli kishte tubuar mijëra ushtarë përgjatë kufirit me Gazën, para se të fillonte ofensiva tokësore. Që nga mesjava, ushtria izraelite kishte raportuar për bastisje nëpër Gaza, duke thënë se ka sulmuar Hamasin para se të fillojë lufta tokësore.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit është në ditën e 22-të. Nga bombardimet izraelite në Gaza janë vrarë 7 mijë e 300 palestinezë, më shumë se 60 për qind e tyre të mitur dhe gra. Izraeli gjithashtu ka bllokuar Gazën në tërësi, duke pamundësuar furnizimin me bukë, ujë dhe ilaçe.
Numri i të vrarëve në Gaza dhe në jugun e Izraelit tejkalon shifrën e të vrarëve në katër luftërat e mëparshme mes Izraelit dhe Hamasit, që vlerësohet se ishte rreth 4 mijë.
Urdhri për palestinezët
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit lëshuan “mesazh urgjent për banorët e Gazës” duke u kërkuar civilëve nga veriu i Gazës që të lëvizin përkohësisht në jug.
“Vëmendje, banorë të Gazës. Kjo është një këshillë urgjente ushtarake nga forcat izraelite. Për sigurinë tuaj, ne u bëjmë thirrje të gjithë banorëve të Gazës veriore dhe qytetit të Gazës që të zhvendosen përkohësisht në jug të Rripit. Kthimi në veri të Gazës do të jetë i mundur pasi të përfundojnë luftimet intensive”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë izraelite. “Dritarja juaj për veprim po mbyllet, drejtohuni në jug për sigurinë tuaj. Kjo nuk është vetëm masë parandaluese, kjo është kërkesë urgjente”, ka thënë ai. Urdhri erdhi pasi Izraeli njoftoi se “pushtimi tokësor është duke u zhvilluar”.
Foshnjat e rrezikuara
Foshnjat e lindura para kohe që varen nga inkubatorët me energji elektrike për të mbetur gjallë, janë në rrezik të madh në Rripin e Gazës.
Udhëheqësit e një spitali në Rripin e Gazës kanë thënë se pacientët me dializë, foshnjat e lindura para kohe janë në rrezik të madh në rast se spitali mbetet pa energji elektrike shkaku i mungesës së derivateve të naftës.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë ka paralajmëruar se Gaza brenda pak ditësh do të mbetet pa derivate të naftës.
Në repartin e të porsalindurve në spitalin Al-Aqsa, foshnjat përpëliten në pajisjet që monitorojnë gjendjen e tyre shëndetësore.
Rami al-Sirsawi, banor i Gazës, thotë se është i shqetësuar për fëmijët.
“Jemi të frikësuar për jetët e fëmijëve. Fëmijët tanë nuk dallojnë nga martirët që vdesin dhe sakrifikojnë jetën e tyre. Ne e pyesim botën se cili është fati i këtyre fëmijëve në kohën kur po shkatërrohemi dhe ata na thonë se jugu është vend i sigurt, ka vend të sigurt në Rripin e Gazës. Nuk ka siguri për shkak të okupimit”, ka thënë al-Sirsawi.
Nesma Al-Haj frikësohet se situata do të përkeqësohet dhe se palestinezët nuk do të jenë në gjendje të trajtojnë fëmijët e tyre. Së paku 130 foshnja të lindura para kohe janë në rrezik të madh në gjashtë njësi.
Spitalet janë në rezerva të naftës teksa Izraeli pas bllokimit të Gazës nuk ka lejuar furnizimin me energji elektrike, ujë dhe derivate të naftës.
Së paku 50 mijë gra shtatzëna në Gaza e kanë të pamundur qasjen në shërbimet esenciale dhe 5 mijë e 500 prej tyre pritet të lindin gjatë muajit dhjetor, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Shtatë nga 30 spitalet në Gaza janë detyruar të ndalin punën shkaku i dëmeve të pësuara nga bombardimet izraelite dhe mungesës së energjisë elektrike, ujit dhe elementeve të tjera.
Qëndrimi i SHBA-së
Gjenerali James Glynn i Forcës Detare të SHBA-së është kthyer pasi kishte shkuar në Izrael për të këshilluar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).
Për vizitën e tij atje kanë folur nga Forca Detare amerikane e që kanë theksuar se këshillimi nga Glynn nuk do të thotë se SHBA-ja përzihet në vendimmarrjen e Izraelit.
“Gjenerali Glynn shkoi për të ofruar këshilla. Por, mos bëni gabim – çfarë po ndodh, ka ndodhur e do të ndodhë në Gaza është krejtësisht vendim i Izraelit… Ai ka ofruar ekspertizën e tij dhe do ta quanim këtë si shkëmbim ushtarak”, është thënë prej Forcës amerikane.
SHBA-ja i ka kërkuar Izraelit më herët që ta bëjë të qartë qëllimin në Gaza, duke e paralajmëruar që të shmangë viktimat civile, raportoi CNN.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë vetëm se qëllimi është të eliminohet Hamasi dhe infrastruktura e tij.
Qasja në internet
Pronari i rrjetit social X (ish-Twitter) dhe themeluesi i SpaceX, Elon Musk, ka thënë se Starlinku do të mundësojë lidhjen e internetit me organizatat humanitare të njohura ndërkombëtarisht në Gaza. Këtë informacion Musk e ka bërë të ditur përmes llogarisë së tij në këtë rrjet social.
Më parë, kompania palestineze e telekomunikacionit që ofron shërbime celulare për Rripin e Gazës, njoftoi se për shkak të bombardimeve intensive, ka pasur ndërprerje të plotë të shërbimeve të telekomunikacionit.
Në fillim të agresionit rus kundër Ukrainës, Musk u siguroi ukrainasve internetin përmes satelitit Starlink të SpaceX. /koha