Të paktën 99 palestinezë kanë humbur jetën në sulmet ajrore që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës pas njoftimit të armëpushimit më 15 janar, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, Izraeli me sulmet e tij ajrore që vazhdon në Rripin e Gazës bombardoi disa shtëpi dhe tendat ku qëndronin palestinezët e zhvendosur.
Nëntë persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimit izraelit ndaj një shtëpie në rajonin Jabalia në veri të Rripit të Gazës.
Gjithashtu avionët luftarakë izraelitë bombarduan shtëpinë e familjes “Berke” në qytezën Absan që ndodhet në lindje të qytetit Khan Yunis në jug të Rripit të Gazës. Në sulm humbën jetën të paktën 5 palestinezë ndërsa u plagosën shumë të tjerë.
Edhe në sulmin e kryer ndaj një tende në perëndim të Khan Yunis, humbën jetën 2 palestinezë. Po ashtu një person ka humbur jetën në sulmin e kryer ndaj një tende në kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Një person tjetër ka humbur jetën në sulmin me mjete ajrore pa pilot (dronë) që ushtria izraelite kreu në afërsi të bulevardit Salahaddin.
Gjithashtu ushtria izraelite kreu 3 sulme ajrore edhe ndaj rajonit Jabalia në veri të Rripit të Gazës në të cilën ai vazhdon bllokadën e rreptë.
Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale, në sulmet që Izraeli ka kryer pas njoftimit të armëpushimit në Gaza kanë humbur jetën 99 palestinezë, përfshirë 23 fëmijë dhe 27 gra.
– Marrëveshja për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit
Katari, një nga vendet ndërmjetësuese më 15 janar njoftoi se Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje për një armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar. Në 42 ditët e para të marrëveshjes së armëpushimit që përbëhet nga 3 faza, do të lirohen 33 pengje izraelite.
Marrëveshja krahas mbërritjes së ndihmës humanitare për Rripin e Gazës në mënyrë gjithëpërfshirëse, përfshin edhe rikthimin në territoret e tyre për palestinezët e zhvendosur.
Detajet e fazës së dytë dhe të tretë do të shpallen sapo të përfundojë faza e parë.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë 46.788 palestinezë, përfshirë rreth 17.841 fëmijë dhe 12.298 gra, ndërsa janë plagosur 110.453 persona të tjerë.