Gaza, 3 foshnja vdesin nga i ftohti teksa vazhdon lufta gjenocidale e Izraelit

Temperaturat nën zero kanë shkaktuar vdekjen e tre foshnjave palestineze në Rripin e Gazës në 48 orët e fundit, teksa vazhdon sulmi vdekjeprurës izraelit në enklavë, raporton Anadolu.

Një vajzë tre javore humbi jetën në tendën e kampit Al-Mawasi në Khan Younis të mërkurën, tha dr. Munir al-Bursh, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, në llogarinë e tij në X.

Foshnja e quajtur Sela Mahmoud al-Fasih “ngriu deri në vdekje nga i ftohti ekstrem”, shtoi ai.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa tha se dy foshnja të tjera, njëra prej të cilave erdhi në jetë vetëm tre ditë më parë, ndërsa foshnja tjetër ishte njëmuajshe, gjithashtu kanë vdekur nga temperaturat e ftohta dhe mungesa e qasjes në strehimore të ngrohta.

Ushtria izraelite ka vazhduar një ofensivë brutale në Rripin e Gazës duke vrarë afro 45.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Tel Avivi ka vendosur bllokadë shkatërruese në Rripin e Gazës, duke e lënë popullsinë 2.3 milionëshe të territorit në prag të urisë.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli po përballet gjithashtu me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet e tij në Gaza.