Rreth 3,6 miliardë njerëz në botë janë të detyruar të përdorin tualete johigjienike, të rrezikshme dhe jodinjitoze, tregojnë raportet e vitit 2021 të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Afaristi nga Singapori Jack Sim, i cili pa se jo të gjithë në botë mund të kenë qasje në mënyrë të shëndetshme në tualet, një nga nevojat themelore të njerëzimit, la pas jetën e tij të suksesshme të biznesit dhe themeloi Organizatën Botërore të Tualetit në vitin 2001. Synimi i Sim-it ishte të siguronte akses të barabartë në tualet higjienik për të gjithë njerëzit në mbarë botën me organizatën që ai themeloi.
Organizata, e cila ofron trajnime për ofrimin e qasjes në tualete të pastra dhe të sigurta dhe organizon evente për të rritur ndërgjegjësimin, ka caktuar 19 nëntorin si “Ditën Botërore të Tualetit”.
Dita Botërore e Tualetit, e iniciuar nga organizata, numri i vendeve anëtare të së cilës u rrit në një kohë të shkurtër dhe arriti një veprimtari të mjaftueshme për të udhëzuar qeveritë për të siguruar të drejtën e aksesit në tualete të shëndetshme për qytetarët e tyre, u pranua zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara që nga viti 2013.
Tualetet johigjienike shkaktojnë epidemi
Sipas të dhënave të vitit 2021 të UNICEF-it dhe OBSH-së, 3,6 miliardë njerëz në botë nuk kanë qasje në tualet higjienik, të sigurt, jo të përbashkët, të lidhur me një sistem kanalizimesh ose të pastruar nga fekalet në mënyrë të shëndetshme, ose siç definohet nga Kombet e Bashkuara, “që i përshtatet dinjitetit njerëzor”.
Ujërat e zeza përzihen me ujin e pijshëm të të paktën 2 miliardë njerëzve në shkallë globale. Më shumë se 700 fëmijë vdesin çdo ditë, pa mbushur moshën 5 vjeç, për shkak të diarresë së shkaktuar nga uji jo i shëndetshëm dhe tualetet johigjienike.
Kur një pjesë e caktuar e popullsisë nuk ka qasje të sigurt në tualet, rrezikohet edhe shëndeti i publikut të gjerë. Mbetjet e ujërave të zeza që arrijnë në ujë të pijshëm, përrenj, plazhe apo zona bujqësore për shkak të tualeteve johigjienike, shkaktojnë përhapjen e sëmundjeve vdekjeprurëse në masat e gjera.
Për këtë arsye, Kombet e Bashkuara synojnë të sigurojnë menaxhim të qëndrueshëm të ujit dhe higjienës për të gjithë njerëzit në mbarë botën deri në vitin 2030, në kuadër të qëllimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Qasja në tualet është problem edhe në Evropë
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Anadolu Agency (AA), Oliver Schmoll, Menaxher i Programit të Ujit dhe Klimës në Qendrën Evropiane për Mjedisin dhe Shëndetin pranë Zyrës Rajonale të OBSH-së në Evropë, tha se me vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitet 2010 dhe 2015, qasja në ujë të pijshëm dhe kanalizim përkufizohet si e drejtë e njeriut.
Duke theksuar se aksesi në një tualet higjienik, të sigurt dhe të përballueshëm që mbron privatësinë dhe dinjitetin njerëzor është një e drejtë ligjore për çdo individ, Schmoll nënvizoi se deri në vitin 2030, synohet t’i jepet fund detyrimit të popullatës së cenueshme, veçanërisht grave dhe vajzave, për të përdorur ambiente të hapura për nevojat e tualetit.
Ai tha se pavarësisht përparimit të arritur, ka ende probleme me tualetet në shumë pjesë të botës, duke përfshirë edhe Evropën.
“Në Rajonin Evropian të OBSH-së, afërsisht një e treta e popullsisë (279 milionë) ende kanë mungesë të shërbimeve të sigurta të tualetit dhe kanalizimeve”, deklaroi Schmoll.
Schmoll shtoi se mungesa e higjienës në tualete shkakton shumë epidemi, si diarreja dhe COVID-19, si dhe dizenteri, ethet tifoide dhe infeksione me helminte.
Organizatat joqeveritare zgjasin dorën e ndihmës për zgjidhje
Shumë organizata joqeveritare kanë punuar për shumë vite për t’i shtrirë dorën e ndihmës atyre që nuk kanë qasje në tualete dhe ujë. Një nga këto organizata është Fondacioni Humanitar i Ndihmës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) nga Turqia.
Zëvendëskryetari i Fondacionit për Marrëdhëniet me Jashtë, Hasan Aynacı, tha për AA se kryejnë punime të rëndësishme për ujin dhe higjienën.
Ai shprehet se IHH ka bërë një rrugë të gjatë veçanërisht sa u përket puseve të ujit, me mbështetjen e filantropëve.
“Për shkak të problemit të thatësirës, luftërave, konflikteve dhe pandemisë së koronavirusit në botën e sotme, po bëhet çdo ditë e më e vështirë të arrihet qasje në ujë dhe me këtë fillojnë të shfaqen probleme higjienike. Ndodhin shumë sëmundje dhe epidemi. Njerëzit që jetojnë në rajone me probleme kanë filluar të luftojnë me këto vështirësi dhe standardet e tyre të jetesës po bëhen më të vështira dita ditës”, tha Aynacı.
“Për të zgjidhur problemet e higjienës, ne i vazhdojmë prodhimet tona të tualeteve dhe banjave. Këto janë të një rëndësie jetike veçanërisht për njerëzit në zonat e konfliktit që janë detyruar të migrojnë. Në këtë drejtim, ne kemi hapur 10.268 puse uji në 41 vende. Përveç puseve, kemi rritur shpërndarjen e paketave higjienike, sidomos për shkak të pandemisë…Kemi ndërtuar 434 banja, 695 tualete, një njësi pastrimi për kufomat, një impiant për pastrimin e ujit, një njësi për pastrimin dhe paketimin e ujit, 100 depo uji dhe një kanal uji, të cilat janë dorëzuar në dobi të njerëzve të cenuar”, deklaroi Aynacı. /aa