Gashi: Turqia mbetet një partner i rëndësishëm për modernizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve tona ushtarake

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka deklaruar se Türkiye ishte një mbështetëse e fuqishme e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe mbetet një partner i rëndësishëm për modernizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, raporton Anadolu.

Pas pritjes ceremoniale dhe takimeve të zhvilluara me rastin e vizitës së kryetarit të Kuvendit të Madh Popullor të Türkiyes, Numan Kurtulmuş, të dy kryetarët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Në fjalën e tij, Gashi theksoi se ka kënaqësinë dhe nderin të jetë nikoqir i Kurtulmuş-it dhe anëtarëve të delegacionit së tij. Ai shtoi se “akoma i ka të freskëta kujtimet e mikpritjes tuaj të ngrohtë, të cilën e treguat gjatë vizitës time zyrtare në Republikën e Türkiyes në tetor të këtij viti”.

“Prandaj, kjo vizitë përfaqëson vazhdimësinë e dialogut dhe dërgon një mesazh të qartë për seriozitetin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të shkëlqyera mes vendeve tona. Para së gjithash, jam shumë i lumtur që kjo vizitë po ndodh më 21 dhjetor, që përkon me Ditën e Arsimit Turk. Me këtë rast, më lejoni të uroj kolegun tim, delegacionin dhe mbarë popullin turk për këtë festë të rëndësishme, si dhe të falënderoj veçanërisht qytetarët turq të Maqedonisë së Veriut për kontributin e çmuar që japin çdo ditë për përparimin e vendit tonë“, tha Gashi.

Ai shtoi se ky moment është një mundësi për të nderuar rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe identitetit turk, të cilat janë “pjesë e pandashme e mozaikut të vendit tonë dhe një hallkë kyçe në zinxhirin e shoqërisë sonë”.

Lidhur me takimin e sotëm, Gashi tha se ka pasur një takim konstruktiv në të cilin janë theksuar marrëdhëniet shumëvjeçare dhe historike, të cilat janë krijuar në bazë të miqësisë së fuqishme dhe të karakterizuara me bashkëpunim në më shumë fusha.

“Sigurisht, fokusi i këtij takimi produktiv ishte zhvillimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, i cili është një element kyç në forcimin e partneritetit tonë të palëkundur strategjik. Intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar, si përmes grupeve parlamentare të miqësisë, ashtu edhe përmes projekteve të përbashkëta, është thelbësor për avancimin e demokracisë, stabilitetit dhe paqes në rajon”, tha Gashi.

Ai shtoi se është biseduar edhe për mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore dhe rritjen e investimeve mes dy vendeve.

“Türkiye, përveçse është mike dhe aleate e Maqedonisë së Veriut, është padyshim një nga partnerët më të rëndësishëm tregtar dhe një investitor i madh që kontribuon fuqishëm në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm si infrastruktura, bujqësia dhe industria”, tha Gashi.

Gashi po ashtu tha se është biseduar për angazhimin e përbashkët në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe paqes, duke shtuar se bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës është edhe një dëshmi tjetër e përkushtimit për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në botë.

“Türkiye ishte një mbështetëse e fuqishme e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe mbetet një partner i rëndësishëm për modernizimin dhe zhvillimin e aftësive tona ushtarake. Kjo mbështetje e ndërsjellë është thelbësore për forcimin e pozitës sonë të përbashkët në skenën ndërkombëtare”, tha Gashi.

Në fund, ai shfaqi vendosmërinë për të forcuar miqësinë dhe partneritetin në të ardhmen përmes projekteve dhe nismave të përbashkëta që do të sjellin përfitime për të dy vendet.

Ndryshe, Kurtulmuş arriti sot në Shkup së bashku me një delegacion në të cilin bëjnë pjesë nënkryetari i Grupit Parlametar të AK Partisë Bahadır Yenişehirlioğlu, kryetari i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i AK Partisë Ahmet Kılıç, deputeti i AK Partisë Kayhan Türkmenoğlu, deputeti i AK Partisë Yusuf Ahlatcı, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i CHP-së Vecdi Gündoğdu, deputeti i MHP-së Fevzi Zırhlıoğlu, deputeti i Partisë Saadet Mustafa Bilici dhe ambasadori i Türkiyes në Shkup Fatih Ulusoy.