Gashi në Universitetin Marmara: Ballkani do të ribashkohet si një vend kontakti i qytetërimeve, kulturave dhe feve

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili po qëndron për vizitë në Turqi, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar për hapjen e vitit akademik 2024-2025 në Universitetin Marmara në Istanbul, raporton Anadolu.

Siç njofton zyra për media e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Gashi para rektorit, profesorëve dhe studentëve të këtij universiteti mbajti një ligjëratë me temë “Marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë në nivel historik dhe politik, çështjet aktuale në botë”.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari u përqendrua në gjeografinë dhe historinë e përbashkët, arsimin, kulturën dhe ndërtimin e kombit, gjeopolitikën e përbashkët dhe perspektivat se si mund të duket bota e përbashkët në të ardhmen.

Ai shprehu bindjen se “Ballkani do të ribashkohet, jo vetëm si një tërësi gjeografike, por edhe si një vend kontakti i qytetërimeve, kulturave dhe feve në përmasë më të gjerë ku do të mbizotërojë paqja, siguria dhe mirëqenia”.

Më tej, Gashi theksoi se Maqedonia e Veriut është shembull se në këto hapësira mund të ndërtohet bashkëjetesë, duke ndërtuar një shtet dhe shoqëri me diversitete, por në unitet të tërësishëm.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi, Gashi realizoi takim me qytetarë nga Maqedonia e Veriut të cilët qëndrojnë në Istanbul. Në takimin me qytetarët, ai theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Turqi janë të lidhura në mënyrë historike dhe kulturore dhe se në këtë aspekt mërgimtarët paraqesin vegël të rëndësishme në miqësinë e fortë dhe bashkëpunimin e frytshëm midis dy vendeve.