Gashi-Klakočar Zupančič: Sllovenia mbetet mbështetëse e fortë e Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit evropian

Sllovenia mbetet mbështetëse e fortë e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimeve evropiane, tha kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič pas takimit me kryeparlamentarin Afrim Gashi, transmeton Anadolu.

Kryeparlamentarja sllovene u prit me ceremoni zyrtare nga homologu i saj Gashi në Shkup, ndërsa më pas, dy zyrtarët mbajtën konferencë të përbashkët për media.

“Dua të theksoj se Sllovenia është një mbështetëse e vazhdueshme dhe e përkushtuar e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së dhe do të vazhdojë të ofrojë përvojat dhe mbështetjen e saj”, tha Klakočar Zupančič, sipas agjencisë së lajmeve MIA.

“Mezi pres kohën dhe ditën kur mund ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut si anëtare të barabartë të BE-së”, tha ajo.

Sipas, saj, anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.

Ajo theksoi se ajo dhe Gashi janë pajtuar që bashkëpunimi parlamentar i deritanishëm ka qenë i shkëlqyer dhe theksoi se kjo vizitë e vazhdon atë bashkëpunim të suksesshëm.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Gashi, falënderoi Slloveninë, e cila, siç tha ai, është mbështetëse e patundur e aspiratave të vendit për integrimin në BE.

“Kontributi politik, si dhe mbështetja teknike e Sllovenisë në forcimin e kapaciteteve administrative për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së, kanë konfirmuar bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet institucioneve tona dhe gatishmërinë e sinqertë të Sllovenisë për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Gashi.

Sipas Gashit, në takim është konstatuar se zgjerimi i BE-së, në një kohë kur përkushtimi dhe fokusi i misioneve janë drejt Ukrainës, paraqet jo vetëm qëllim strategjik, por edhe interes gjeopolitik.

“Pas kësaj vizite, mund të them me besim se Maqedonia e Veriut mund të mbështetet te Sllovenia, jo vetëm si aleate e NATO-s dhe mbështetëse e integrimit, por edhe si një mik i vërtetë që ndërton marrëdhënie të bazuara në respekt, mirëkuptim dhe solidaritet”, tha Gashi.