Avokati i familjes së të ndjerit, Astrit Dehari, Tomë Gashi, në 10 mujorin e vdekjes ka përkujtar aktivistin e VV-së Astrit Deharin.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi thotë se që 10 muaj nuk po zbardhet rasti i plotë i vdekjes së tij dhe se ka manipulime të mëdha në rezultatet e ekspertizës.
Ja postimi i tij:
SOT BËHEN 10 MUAJ NGA VRASJA E ASTRIT DEHARIT
Edhe pse sot janë mbushur 10 muaj nga vrasja e aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ende sot ka deklarime të pavërteta rreth vrasjes, e fundit është ajo se kinse rezultati i ekspertizës së video incizimeve të kamerave të burgut nuk janë manipuluar.
Prokurori i rastit asnjëherë nuk na ka njoftuar se ku i ka dërguar video incizimet për analiza, edhe pse këtë e ka obligim ligjor.
Por edhe nga vetë ekspertiza e Entit Federal të Kriminalistikës të Austrisë, e të siguruar nga Prokuroria, vërtetohen manipulimet e video incizimit, dhe atë duke konstatuar në ekspertizë se ka pasur ndërprerje të vulave kohore të 6 video fajllave…
Të gjitha çështjet teknike dhe çështje të tjera do të vërtetohen me rastin e hetimeve të pavarura jashtë Kosovës në ndonjërin prej Instituteve të shteteve të BE-së apo SHBA-së, siç edhe thotë Rezoluta/Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës i datës 20.12.2016, e të cilin Qeveria nuk e zbatoj kurrë, duke pretenduar se Instituti i Mjekësisë Ligjore nga Zvicra, nuk mund të angazhohet si Institut i përzgjedhur nga familja Dehari, pasi që Zvicra nuk është anëtare e BE-së.
Angazhimi i Institucioneve të Specializuara jashtë Kosove për hetime të pavarura dhe ekspertiza të pavarura, lidhur me vrasjen e Astrit Deharit, është peng i formimit të Qeverisë së re të Kosovës për zbatimin e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës./Mesazhi/