Përfaqësuesja e Ganës ka shënuar fitoren e parë në Kampionatin Botëror. Pas humbjes nga Portugalia, Gana të hënën e mposhti Korenë e Jugut. Për Korenë e Jugut, kjo është humbja e parë në turneun e Katarit pas barazimit pa gola në duelin ndaj Uruguait. Ndeshja e luajtur të hënën në kuadër të Grupit H, përfundoi me fitoren e ngushtë 3:2 të Ganës.
Ganezët shënuan dy gola në pjesën e parë dhe një në të dytën për ta fituar ndeshjen.
Tani, kanë tri pikë të tubuara, dy më shumë se Koreja e Jugut që gjasat për avancim nga faza e grupeve i ka minimale. Mohammed Salisu në minutën e 24-të dhe Mohammed Kudus në të 35-tën, shënuan golat për Ganën që e mbylli pjesën e parë në epërsi. Në pjesën e dytë, Koreja e Jugut u kundërpërgjigj me anë të sulmuesit Cho Gue-sung. Ai fillimisht e ngushtoi epërsinë e Ganës në minutën e 61-të, përpara se ta barazojë rezultatin dy minuta më vonë. Të dy golat, sulmuesi Cho i shënoi me kokë. Megjithatë, golin e fitores për Ganën, e shënoi mesfushori Kudus. Për Kudusin, ky ishte goli i tij i dytë në këtë përballje. Duelin e radhës, Gana e luan të premten me Uruguain derisa Koreja e Jugut do të përballet me Portugalinë.