Mishi i pulës është një ushqim lehtësisht i kombinueshëm për një vakt të shijshëm e të shëndetshëm.
Megjitatë një nga sekretet e garantimit të këtyre vlerave qëndron në përpunimin e mishit të pagatuar.
Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për gabimet e rrezikshme që duhet të shmangni me mishin e pagatuar të pulës.
Mbajtja e Mishit në Temperaturë Ambienti për Shumë Kohë
Ndodh që një amvisë të nxjerrë pulën në banak për ta shkrirë dhe më pas si pasojë e angazhimeve të tjera në shtëpi ta harrojë atë.
Në temperaturë ambienti, mishi kthehet në një vatër të baktereve të dëmshme të cilat më pas kanë aftësinë të shkaktojnë helmim.
Mishi i pulës duhet nxjerrë nga frigoriferi vetëm nëse jeni gati ta gatuani atë.
Nëse e ruani në ngrirje, mund ta fusni në kutizat e tjera të frigoriferit ku të shkrihet për 2 ditë.
Më pas mund ta gatuani.
Ruajtja e Mishit
Mishi ka tendencën të lëshojë lëngje që mund të rrjedhin në frigorifer dhe të ndotin ushqime të tjera.
Mishi i pulës duhet mbajtur në një enë të mbuluar dhe të futet në zonën e poshtme të frigoriferit.
Shpëlarja e Mishit
Mishi i pagatuar nuk duhet shpëlarë me ujë.
Uji nuk i eliminon bakteret por nxit përhapjen e baktereve në sipërfaqet përreth.
Mishin që nuk është i ngrirë mund ta skuqni ose piqni direkt.
Marinimi
Marinimi e zbut mishin dhe e bën gati për gatim.
Por nëse e lini atë në banak të marinohet për shumë gjatë atëherë do të nxisni rritjen e baktereve.
Pulën mund ta marinoni duke e futur në një qese plastike ose në një enë të mbyllur dhe ta fusni në frigorifer.
Lëngjet e marinuara të pulës nuk duhet t’i përdorni më.
Mjetet e Kuzhinës
Përpunimi i mishit të pagatuar të pulës kërkon shumë kujdes, në të kundërt mund të rrezikoheni nga salmonela.
Rrjedhimisht, çdo mjet kuzhine që përdoret për mishin e pulës nuk duhet kurrësesi të përdoret për ndonjë ushqim, mish apo perime tjetër.
Kontakti me Ushqime të Tjera
Kufizime të ndryshme në kuzhinë i nxisin amvisat të përdorin një dërrasë prerjeje si për mishin e pulës ashtu edhe për sallatën jeshile.
Në këtë mënyrë ndotja mes ushqimeve është e paevitueshme.
Mishi i pagatuar i pulës duhet mbajtur larg ushqimeve të tjera për sigurinë tuaj.
Larja e Duarve
Pas përpunimit të mishit të pulës ju duhet të lani duart menjëherë dhe të fshini e pastroni çdo mjet, dollap, raft apo shishe të prekur.
Mungesa e higjenës mund të rritë rrezikun e prekjes nga baktere të rrezikshme.
Një aspekt tjetër i higjenës është të ndërroni sfungjerët dhe napat e kuzhinës rregullisht.
Sfungjeri i enëve duhet pastruar çdo ditë duke e futur në mikrovalë për 2 minuta.
Ato duhen zëvendësuar çdo dy-tre javë për sigurinë tuaj dhe të familjes.