G7-a pajtohet t’ia kufizojë çmimin naftës ruse

Ministrat e Financave të Grupit të Shtatë shteteve më të avancuara janë pajtuar që të lëvizin shpejt në caktimin e kufizimit të çmimit në importet e naftës ruse.

Në një njoftim të premten, ministrat e G7-s kanë thënë se “do të punojnë me urgjencë në finalizimin dhe implementimin e masës”, por kanë lënë jashtë publikimit detajet kyçe të planit.

Këto shtete kanë konfirmuar përkushtimin për planin në një takim virtual, por kanë thënë se çmimi do të përcaktohet më vonë.

Caktimi i kufirit të çmimit do të ndikojë në luftimin e inflacionit dhe do të godasë kapacitetet ruse që të financojë luftën në Ukrainë, kanë thënë krerë amerikanë.

G7 përfshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia e Japonia.

Para njoftimit të G7-s, Kremlini paralajmëroi se caktimi i një çmimi tavan për eksportet ruse do të përcillet me hakmarrje. Nëse liderët e G7-s do të kufizojnë çmimin, do të ketë destabilizim të ndjeshëm të tregut botëror, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. /koha