Nuk do të ketë klipe të golave, njoftime apo festime titujsh.
Katër ditë të heshtjes në Twitter, Facebook dhe Instagram nga ligat e futbollit, klubet dhe lojtarët në Angli, kanë nisur të premten, si shenjë proteste kundër abuzimeve racore, që janë përhapur në mënyrë të konsiderueshme së fundmi nëpër mediat sociale.
Zemërimi është aq i madh saqë edhe nëse ndonjë ekip fiton ndonjë titull gjatë fundjavës, nuk do ta festojë atë nëpër rrjetet sociale.
Kush është duke bojkotuar?
Bojkoti fillimisht është njoftuar nga Asociacioni i Futbollit Anglez, Premier Liga, Liga angleze e Futbollit, Super Liga e Grave, Kampionati i Grave si dhe lojtarët, menaxherët, dhe disa grupe tjetër kundër diskriminimit.
Para nisjes së bojkotit, që ka nisur të premten dhe do të vazhdojë deri në fund të ditës së hënë, sportet tjera angleze, sikurse kriketi, tenisi dhe garat me kuaj, kanë thënë se do të jenë të heshtura në rrjetet sociale.
Federata Evropa e Futbollit, Federata Botërore e Futbollit, dhe transmetuesit e Premier Ligës po ashtu nuk do të publikojnë asgjë për këto katër ditë.
Princi Willim, i cili është president i Asociacionit të Futbollit, ka thënë nga llogaria e Pallatit Kensington në Twitter, se do t’i bashkohet bojkotit.
Kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton, ka njoftuar se nuk do të publikojë asgjë nga garat portugeze Grand Prix në fundjavë, për të ndihmuar “në bërjen e ndryshimit për gjeneratat në të ardhmen”.
Federata Ndërkombëtare e Tenisit i është bashkuar bojkotit me shpresë që do të ndalen mesazhet abuzuese, duke përfshirë kërcënimet me vdekje që u janë dërguar lojtarëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të tjerë.
Pse po protestohet?
Unioni i lojtarëve anglezë ka marrë iniciativë për të bojkotuar mediat sociale për 24 orë në 2019, me fushatën “Mjaft”, përmes së cilës është kërkuar veprim më i ashpër kundër urrejtjes që shihet nëpër rrjetet sociale, kundrejt anëtarëve të tij.
Mirëpo fushata nuk ka rezultuar me zero tolerancë.
Në platformën Instagram, një postim racist nuk është i mjaftueshëm që t’i pamundësohet qasja një përdoruesi.
“Është e tmerrshme”, ka thënë Simone Pound, udhëheqëse për barazi në Asociacionin e Futbollistëve Profesionalë.
“Kur u jemi drejtuar për herë të parë atyre, unë kam pasur një mal me shembuj të ofendimeve që kanë pranuar lojtarët. Ne kemi pasur kapitenin e ekipit Leicester, Wes Morgan në një dhomë që ka folur personalisht për veten. Ka pasur shprehje fyese gjithandej, ikona të majmunëve dhe ata na kanë thënë ‘Na vjen shumë keq. Kjo nuk bie në kundërshtim me udhëzimet tona për komunitetet’”.
Sipas saj, nuk është arritur shumë përparim as pas dy vjetëve.
“Prej herës së parë që jemi takuar, ata nuk kanë bërë mjaftueshëm”, ka thënë Pound.
“Ne ende jemi duke parë sesi fjalë dhe ikona janë duke u përdorur në mënyrë të tmerrshme, në baza ditore kundër lojtarëve, dhe nuk janë duke u hequr shpejt nga mirëmbajtësit e aplikacioneve. Ndonjëherë ato qarkullojnë edhe gjashtë muaj pas raportimit”.
Veprimet e Instagramit për të zhdukur racizmin janë fokusuar më shumë kundër mesazheve të drejtpërdrejta private, sesa në postimet publike.
Mosveprimi i Twitter-it
Asociacioni Futbollistëve Profesionalë ka gjetur se 31 nga 56 postimet raciste në Twitter vazhdojnë të mbeten në këtë rrjet social pavarësisht se të njëjtat janë raportuar vitin e kaluar. Sikurse Facebook, edhe Twitter nuk ka komentuar pretendimet se është duke marrë hapa për të larguar përmbajtjen diskriminuese nga kjo platformë, transmeton agjencia e lajmeve AP.
Një studim i kryer në gusht të vitit të kaluar nga Fare, rrjeti kundër diskriminimit me kompaninë Textgain, me bazë në Belgjikë, ka gjetur se 157 lojtarë të përfshirë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, kanë pranuar komente diskriminuese në Twitter.
Gjashtë muaj më vonë, 66 për qind e postimeve të tilla kanë vazhduar të qarkullojnë online në Twitter, ashtu sikurse 71 për qind e llogarive, ka thënë Fare, duke theksuar se lojtarët e minoriteteve etnike kanë pranuar më shumë komente raciste.
Veprimet qeveritare
Qeveria britanike është duke prezantuar një ligj që do të adresojë sigurinë online, çka mund të rezultojë me gjobitje të kompanive të mediave sociale, nëse nuk luftojnë racizmin.
“Ne mund të shohim gjoba deri më 10 për qind të fitimit global”, ka thënë Sekretari britanik për Kulturë Oliver Dowden për gazetën The Sun.
“Për kompani si Facebook dhe YouTube, kjo nënkupton miliarda”.
Bojkoti ka nisur teksa menaxherët kanë qenë duke mbajtur një konferencë për media, para nisjes së ndeshjeve të fundjavës.
Nuno Espirito Santo nga Wolverhampton, i cili njëherësh është menaxheri i vetëm me ngjyrë në Premier Ligë, ka përmendur disa çështje që lidhen me bojkot.
“Jo secili i shfrytëzon për të keq rrjetet sociale”, ka thënë ai.
“Duhet të balancojmë dhe nuk mund të bëjmë kompromis me lirinë tonë, mirëpo në këtë moment mendoj se kjo është masë e mirë”.
Abuzimi që ka pranuar trajneri i përkohshëm i ekipit Tottenham, Ryan Mason, pasi ka pasur një frakturë në kokë, e ka detyruar atë që të pensionohet në moshën 26-vjeçare më 2018.
“Më është dashur të largohem dhe ta largoj veten nga rrjetet sociale si lojtar sepse nuk kam dashur të shoh diçka të tillë”, ka thënë Mason.
“Edhe pasi jam pensionuar kam pranuar mesazhe për lëndimin tim dhe gjërat tjera. Dikush mund të mendojë se është vetëm një mesazh dhe duhet injoruar. Mirëpo këto gjëra nuk duhet të jenë të pranueshme”.
Të dënuar nga klubet
Ekipi Manchester United ka njoftuar të premten se gjashtë tifozëve u janë bllokuar qasjet për shkak të komente abuzive kundër lojtarit të ekipit Tottenham, Son Heung-min.
Ky ekip po ashtu ka thënë se pas një rishikimi të postimeve në Twitter, Instagram dhe Facebook, ka gjetur 3,300 postime ofenduese ndaj lojtarëve në periudhën shtator 2019 – shkurt 2021.
Ekipi tjetër Chelesa po ashtu ka thënë të premten se një mbështetësi i është bllokuar qasja për 10 ditë, për shkak të postimeve antisemitike.
Çfarë tash?
Asociacioni Futbollistëve Profesionalë është duke u përgatitur për më shumë veprime në rrjetet sociale.
“Unë personalisht mendoj se ky do të jetë bojkoti i parë nga një seri që mund të realizohen në të ardhmen”, ka thënë Pound.
“Ne mund të bëjmë diçka të tillë çdo javë, nëse do të na duhet. Kjo që nuk do të mbetet me kaq. Ata duhet të na dëgjojnë”. /rel