Vizitat e shumta nëpër qytete të ndryshme të Kosovës nga kreu i partisë më të madhe në vend (PDK), Kadri Veseli, si dhe deklaratat e drejtuesve të LDK-së për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, përkatësisht të disa zyrtarëve të lartë të kësaj partie, po konsiderohen si veprime parapërgatitore për zgjedhje të parakohshme qendrore.
Politologët në Kosovë vlerësojnë se këto veprime kanë të bëjnë pikërisht me fushatë për zgjedhje të parakohshme, pasi që, sipas tyre, koalicioni qeverisës tashmë nuk i ka përmbushur detyrimet e caktuara, shkruan “Zëri”.
Nga ana tjetër, edhe vetë Dega e PDK-së në Podujevë para pak ditësh akuzoi LDK-në se “vrasjet” po i përdor për qëllime politike, përderisa LDK-ja e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
Edhe përfaqësues të partive opozitare konsiderojnë se vendi duhet sa më parë të shkojë në zgjedhje pasi koalicioni qeverisës nuk ka funksionuar qysh nga fillimi.
Sipas orarit të rregullt zgjedhor në fund të këtij viti duhet mbajtur zgjedhjet lokale, ndërsa në qershor të vitit të ardhshëm ato qendrore.