Në kuadër të forumeve virtuale të cilat po organizohen nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë pas situatës së pazakontë të shkaktuar nga pandemia globale COVID-19, zyrtarë të Doganës së Kosovës, si dhe përfaqësues të bizneseve tregtare dhe transportuese folën për fluksin e tregtisë, transportin vendor dhe ndërkombëtar, si dhe procedurat e kalimit kufitar dhe zhdoganimeve.
Sipas një komunikate të OEAK, në forumin Tregtia në Kohën e COVID-19 u diskutuar për problemet me të cilat po ballafaqohen kompanitë vendore tregtare e prodhuese pas masave kufizuese të ndërmarra në shumë sfera me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj pandemie, e rrjedhimisht edhe gjenerimi i rekomandimeve të cilat mund të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës në përkrahje të tyre.
Bashkim Arifi, drejtor i Departamentit të Operacioneve Kufitare në Doganën e Kosovës theksoi se pavarësisht kufizimeve në burimet njerëzore, Dogana e Kosovës po realizon të gjitha funksionet e saj me kapacitete të plota, në të gjitha vendkalimet kufitare, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave, e sidomos atyre strategjike. Vështirësitë megjithatë paraqiten nga shtetet fqinje të cilat kanë kufizuar punën e personelit kyç, përfshirë edhe ato të kujdesit shëndetësor, gjë që po vështirëson kalimin kufitar.
Ai theksoi se Dogana e Kosovës ka përshpejtuar procesin zhdoganues për të mundësuar rrjedhë normale në furnizimin me mallra për qytetarët, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për panik, meqë importet e përditshme nuk do të ndikojnë në asnjë mungesë të artikujve esencialë për qytetarët, përfshirë këtu edhe grurin dhe miellin.
Avni Krasniqi nga kompania tregtare Delfin LTD, e njëherit edhe kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganave në Odën Amerikane u shpreh se sa i përket furnizimit me mallra, nuk po raportohe t për ndonjë problem kontraktual me furnitorët, duke shtuar se sfidat lidhen me qarkullimin dhe trafikun e mallrave. Si probleme kryesore ai i konsideroi kufizimet me të cilat po ballafaqohen në korridoret nga shtetet fqinje, duke e marrë parasysh se shumë shtete të rajonit kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë COVID-19. S
idoqoftë, Krasniqi cilësoi se një pjesë e madhe e furnizimit ende është duke funksionuar në mënyrë të mirë, dhe theksoi se nuk ka nevojë për panik, e as për blerje përtej nevojave.
Besir Çmega nga kompania Railtrans, u shpreh se transporti i mallrave përkundër disa pengesave është duke qarkulluar mirë.
Ai i ftoi institucionet e shtetit që të marrin në konsideratë edhe nevojat e transportueseve para marrjes së vendimeve dhe të bëjnë lehtësime përkitazi me dokumentet për transport.
Çmega shtoi se njëri ndër problemet kryesore me të cilat po përballen kompanitë transportuese, është çështja e karantinimit të shoferëve në shumë shtete, e cila po zvogëlon potencialin e dërgimit të kamionëve dhe njëkohësisht edhe disponueshmërinë e shoferëve për t’i kryer këto dërgesa. Si problem tjetër ai përmendi edhe mungesën e informimit në kohë reale nga doganat e shteteve fqinje për vendimet e tyre, ku dhe sugjeroi doganën e Kosovës të lëshojë njoftime të përgjithshme për këto ndryshime.
Çmega sugjeroi të zëvendësohet transporti rrugor me forma alternative si transporti detar ose ai hekurudhor, me shtetet të cilat këto alternativa i kanë të disponueshme, në mënyrë që të tejkalohen problemet e përmendura më lartë.