I lëmuar, praktik, 550 kilometra me një mbushje, nivelin e katërt të autonomisë, VW shfaqë ID Buzz Cargo që pritet të jetë e ardhmja e furgonëve komercialë
Prej se e ka prezantuar konceptin e ID Buzz elektrik, që është zëvendësi i Microbus, të gjithë e kanë pritur me padurim lansimin e tij, transmeton Telegrafi. Ky furgon do t’i prije vargut të makinave elektrike nga Volkswagen, që sipas gjasave do të ketë edhe sedan dhe crossover.
Jemi shumë vite larg, prej kur një makinë e tillë do të hyjë në prodhim, por Volkswagen nuk ka nguruar së prezantuari edhe një koncept tjetër. Është ID Buzz Cargo, një furgon komercial që e ka si bazë ID Buzz.
Ngjashmëritë janë të mëdha, vetëm se i mungojnë dritaret dhe karriget, në mënyrë që të zë sa më shumë mallra dhe jo pasagjerë. Tavani ka panele diellore, të cilat ia shtojnë lëvizjes edhe 15 kilometra tjera, dyert hapen në mënyrë elektronike, duke rrëshqitur shumë lehtë.
ID Buzz Cargo pritet të lëvizë për 550 kilometra me një mbushje, ka nivelin e katër të autonomisë në vozitje, ndërsa mund të zë shpejtësi maksimale prej 160 kilometrave në orë. Teknologjia e lartë, i ofron lehtësi shoferit në vozitjen sa më praktike të këtij furgoni nga Volkswagen, që nuk pritet të prezantohet para tri vitesh.