Fuqia e drejtë dhe drejtësia e fortë

Arber Zaimi

Nëse për pragmatizmin realist shqiptar koha mund të duket e paqartë, për “partinë” e dytë brenda çështjes shqiptare koha është gjithmonë e qartë. Cila është ajo parti e dytë se? Është partia e idealizmit kombëtar. Nëse partia e pragmatizmit realist thotë se duhet t´i japim drejtësi fuqisë, pra duhet të gjejmë një fuqi ndërkombëtare mike e ta pajisim atë me argumentin e së drejtës shqiptare, partia e dytë, ajo e idealizmit kombëtar, thotë se të drejtës sonë kombëtare, kësaj ideje efemere që është më e pranishme pikërisht atëherë kur mungon, duhet t´i ndërtojmë struktura të forcës. Cilat janë ato? Ekonomia dhe institucionet.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Në manifestin e parë të Lëvizjes Kombëtare filozofi dhe enciklopedisti Sami Frashëri ka lënë shumë fjalë me peshë që ende ruajnë aktualitet. Një përkufizim lakonik të programit, shenjë e mendimit të thellë, por fort të përmbajtur të Sami Frashërit, e gjejmë te ky pasazh: “Dy gjëra duhen në këtë jetë: e drejta edhe fuqia. E drejta pa fuqi, si edhe fuqia pa të drejtë është si një krah i vetëm; një zog s’fluturon dot me një krah. Më të rrallë bën punë fuqia pa të drejtë, edhe e drejta pa fuqi fort rrallë dëgjohet.”

Në këtë paragraf konciz ideologu i Rilindjes Kombëtare sjell bashkë dy këndvështrime, atë të filozofisë morale (me të cilën tradicionalisht lidhet ideja e drejtësisë) dhe atë të filozofisë politike (që në formën e saj klasike ka qenë e lidhur ngushtë me konceptin e fuqisë). Nuk përpiqet të shpjegojë njërën përmes tjetrës, as nuk vendos prioritet e preferencë mes të dyjave. Përkundrazi, Samiu thotë se çdo përqendrim tek njëra në dëm të tjetrës do të shkaktonte shqepim.

Kjo pranëvënie i ngjan pak shqiponjës dykrenare në flamurin shqiptar, të cilin në po atë libër (Shqipëria ç´ka qenë, ç´është dhe ç´do të bëhet) Sami Frashëri e përshkruan si flamurin e vjetër të shqiptarëve e të Skënderbeut, që mban meritën se qe i vetmi që bashkoi për një kohë prijësat dhe krijoi të parin kolektivitet shqiptar që lufton e punon për veten e vet.

Konceptimi dyjar i sjellë nga Sami Frashëri ka pararendës, të cilët ai me siguri i ka njohur mirë, siç dëshmojnë enciklopeditë e gjera, i të cilave ai qe autor. Një syresh ka qenë filozofi francez Blaise Pascal, që tek “Mendimet” e veta shkruan: “E drejta pa forcë është impotencë. Forca pa të drejtë është tirani”.

Në historinë politike e kombëtare të shqiptarëve, pra, dy janë përpjekjet që vlen të përmenden. Ajo për ta bërë fuqinë të drejtë dhe ajo për ta bërë të drejtën të fortë.

Përkufizimi i gjithëpranuar i së drejtës nuk ekziston, e se ç´është apo ç´nuk është e drejta, shpesh debatohet jo vetëm në akademi e aula gjyqësori, por edhe në jetën e përditshme, në tryeza shtëpiake ose në banakë kafenesh e mediash. Jo rrallë e drejta e përshkruar në një ligj na duket në kontradiktë me sensin tonë të drejtësisë, apo çka na duket e drejtë kur e bëjmë ne këtu na duket e padrejtë kur e bëjnë të tjerët në vendin e vet, mandej ka raste kur e drejta vjen si e imponuar nga jashtë, duke na bërë të shtrojmë pikëpyetje për qëllimet e kësaj “dhurate”, e jo rrallë ka raste kur dy të drejta përplasen qoftë në formën e konfliktit mes dy subjekteve, qoftë në formën e dilemave brenda ndërgjegjes së një subjekti të vetëm. Ndërsa, për fuqinë dilemat zhduken. Është menjëherë e qartë kush është më i fortë: ai që ka më shumë njerëz, teknologji, kapital.

Prandaj, shqiptarët, prej se kanë nisur të mendojnë si komb, e kanë pasur më lehtë të përkasin në këtë “parti”, pra tek ajo që e konstaton gjendjen tonë si një “të drejtë pa fuqi” e, për pasojë, synon të gjejë një fuqi të huaj e ta pajisë atë me drejtësi në funksion të çështjes sonë. Është një pragmatizëm realist: ne e dimë cila është e drejta jonë kombëtare, por jemi më i varfri komb në kontinent, të pamundur nga ana materiale e nga ajo demografike, kështu që edhe në aspektin e fuqisë vendore më shumë mund të prodhojmë krahë pune ose mercenarë për vendet e tjera, por jo prodhim tonin industrial apo ushtri vendore.

Në kohën kur jetoi e veproi Sami Frashëri, rreth një shekull e gjysmë më parë, bota po përjetonte tensione të mëdha gjeopolitike e kishte shumë paqartësi. Fuqitë e Mëdha konsideroheshin Austro-Hungaria, Franca, Gjermania, Rusia dhe Britania, pesë vendet europiane që kontrollonin perandori të gjera koloniale. Ekuilibri gjeopolitik, paqja e Kongresit të Vjenës, dalë pas mposhtjes së Napoleonit, ishte i bazuar mbi baraspeshimin e brishtë mes këtyre perandorive, që vazhdimisht grupoheshin e rigrupoheshin kundër njëra-tjetrës, që bënin traktate të fshehta prapa shpinës së marrëveshjeve të botuara, të cilave as mendja nuk mund t´ua merrte se brenda më pak se gjysmë shekulli disa prej tyre as nuk do të ekzistonin më si perandori, ndërsa fuqi globale do të dilnin disa të tjera, të paparashikuara. Ja që edhe fuqia nuk është jetëgjatë sa ç´pretendon.

Shqiptarët vetë ishin nën rrezik ekzistencial. Ata shtriheshin në rreth 80.000 kilometra katrorë, në skajin perëndimor të Perandorisë Otomane, teksa trojet e tyre ishin të synuara nga fqinjët që tashmë ishin pavarësuar, Serbia e Mali i Zi në veri, Bullgaria në verilindje e Greqia në juglindje e jug. Prirja e parë dhe e natyrshme e pragmatizmit realist shqiptar ishte mbështetja për mbrojtje te Perandoria Otomane, të cilën shqiptarët e njihnin prej katër shekujsh si fuqi të padiskutueshme në Ballkan e më gjerë. Megjithatë, të diturit e dinin se Perandoria Otomane ishte në fazë dekadence prej më se një shekulli, ngaqë nuk e pati zënë hapin as me revolucionin industrial-teknologjik e as me kolonializmin. Një perandori që dikur ishte shteti më i fortë në kontinent, në kohën e Sami Frashërit tashmë konsiderohej si “i sëmuri i Europës”, që po i humbte një nga një pjesët e tij. Lavdia e dikurshme nuk është e barabartë me fuqinë e sotme dhe pragmatistët e kombeve të ndryshme, që gjendeshin brenda asaj perandorie, po rirreshtoheshin gjeopolitikisht me fuqi të reja. Cila mund të qe fuqia e re, me të cilën do të mund të asocioheshin shqiptarët, që e drejta e tyre të mos shtypej?

Fuqia që agjitonte më së shumti në Ballkan ishte Perandoria Ruse, e cila përdorte dy vektorë kulturorë për ta rritur hegjemoninë: ortodoksizmin dhe pansllavizmin. Mirëpo, këta dy vektorë, që ishin joshës për masat ortodokse ose sllavofone, ishin përjashtues për shqiptarët, që as nuk flisnin sllavisht e as nuk kishin më shumë se 15% ortodoksë në trungun e tyre kombëtar. Rusia kishte edhe një problem tjetër – ajo, njësoj si Turqia, nuk e kishte kaluar revolucionin industrial, prandaj ishte shoqëri e prapambetur në aspektin teknologjik, ekonomik e kulturor, gjë që e linte në pozitë inferiore karshi fuqive të tjera të mëdha. Ortodoksizmi e pansllavizmi i propozuar nga rusët mund të ishte joshës deri diku për disa masa fshatare e konservatore tek disa popuj sllavë e ortodoksë ballkanikë, por asnjëherë s´ishte mirëfilli tërheqës për elitat e atyre popujve. Prandaj elitat ballkanase sllave e ortodokse kartën ruse e kanë përdorur vetëm si kërcënim ndaj fuqive të tjera, për të marrë më shumë prej tyre, ndërsa vetë Rusia në Ballkan ka ndjekur më shumë politikë të tensionimit dhe shkaktimit të problemeve për t´i rënë në sy Europës sesa ndonjë politikë të qëndrueshme.

Franca e Britania kishin interes më shumë për detin Egje dhe për Lindjen e Mesme, përfshi aty edhe projektin për Suezin ose hekurudhat që e lidhnin Europën me Azinë. Qasja ballkanike e këtyre dy fuqive ishte më shumë monitoruese, e gjithsesi favorizuese e shteteve të reja të krishtera të dala nga Perandoria Otomane, ku e shihnin veten si aksionere qysh prej themelimit.

Gjermania ishte vetë e përfshirë për t´i ndihmuar Turqisë në mbijetesë, sepse e shihte si faktor balancues që mund të ndalte, në njërën anë, lidhjen e Francës e Britanisë me Afrikën e Azinë, ndërsa në anën tjetër daljen e Rusisë në detet e jugut. Prandaj Gjermania nuk ishte adresa e natyrshme ku mund të trokisnin shqiptarët. Pikërisht kështu duhet lexuar kancelari i parë i Gjermanisë së Bashkuar, Bismarku, kur u shpreh se Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike, pra një krahinë e Perandorisë Osmane, e jo një komb që duhet të ndahet e të fitojë sovranitet.

Mbetej vetëm Austro-Hungaria, e cila pas Kongresit të Berlinit e kishte shtënë në dorë Bosnjë-Hercegovinën si protektorat dhe po synonte zgjerimin në Ballkan. Austro-Hungaria i pa me interes shqiptarët dhe çështjen e tyre, në funksion të zgjerimit ballkanik të Perandorisë. Por, ky zgjerim kundërshtohej nga shtetet e sapokrijuara ballkanike, në radhë të parë nga Serbia, e cila ndihmohej nga Rusia, por edhe nga fuqi të tjera që nuk e dëshironin rritjen e fuqisë së Vjenës. Në fushatën gjenocidale të serbëve kundër shqiptarëve, që nisi prej Luftës Ruso-Turke të vitit 1877 e që vazhdoi deri në luftërat ballkanike më 1913, shpesh u përdor si argument për spastrimin etnik të shqiptarëve fakti se ata ishin “kolaboracionistë potencialë” të austro-hungarezëve. Për shembull, pas pushtimit të Kumanovës nga serbët (24 tetor 1912), gjenerali serb, Sepan Stefanoviqi, i cili mbante poste drejtuese ushtarake qysh prej vitit 1874, urdhëroi vrasjen e gjithë shqiptarëve të qytetit të Kratovës, duke shpjeguar se “këta batakçinj duhen shfarosur të gjithë që Austria të mbetet pa të përkëdhelurit e saj”. Në qytetin minerar të Kratovës, në lindje të Kumanovës, shqiptarët kanë qenë popullsi e madhe qysh në mesjetë, por sot nuk ka mbetur më gjurmë shqiptari.

Përveç Fuqive të Mëdha ishte edhe Italia, e cila kishte nisur të mëkëmbej, por ishte bashkuar vonë në krahasim me shtetet e tjera dhe revolucionin industrial e kishte përjetuar vetëm pjesërisht, në zonën e saj veriore. Komuniteti i arbëreshëve pati ndikim të madh në Rilindjen Kombëtare shqiptare, por ndikim të kufizuar në politikat italiane. Italia e shihte Shqipërinë si zgjatim të mundshëm të saj drejt Ballkanit, por duke parë paaftësinë për të çuar zhvillim e siguri së pari në jugun e saj, mbizotëronte skepticizmi për mundësinë e eksportimit të zhvillimit e të paqes diku tjetër.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës asokohe ishin një e panjohur e madhe sa i përket gjeopolitikës. Dihej se ishte vend me potencial të madh, me shumë zhvillim e kulturë, por kryesisht izolacionist, i përqendruar tek vetvetja. Edhe vetë Sami Frashëri e sheh me admirim këtë vend, ku shteti demokratik, avancimi kulturor, shkencor dhe ekonomik, kishin krijuar një mbrothtësi e begati shembullore. Por, në kohën e Samiut Amerika ende nuk konsiderohej fuqi globale. SHBA-ja hy në skenën globale gjatë Luftës së Parë Botërore, kur u bë e qartë se asnjëra nga palët nuk e fitonte dot luftën pa Amerikën. Pikërisht prej atij fillimi shqiptarët u përpoqën ta lidhin çështjen e tyre me këtë fuqi të re, nisur edhe nga përkrahja e simpatia që pati Shqipëria e sapokrijuar nga administrata e presidentit Wilson.

Prej Luftës së Parë Botërore e deri më tash, Amerika ka drejtuar politikat globale herë si superfuqi e vetme, herë në raport të tensionuar me superfuqi të tjera. Tre kanë qenë presidentët që e kanë afirmuar fuqinë globale të SHBA-së, Wilsoni në Luftën e Parë, Roosevelti në Luftën e Dytë dhe Reagani në Luftën e Ftohtë. Wilsoni erdhi me idenë e Amerikës si përkrahëse e vetëvendosjes së popujve, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Roosevelti erdhi duke ua shtuar ideve të Wilsonit edhe ndërtimin e shtetit të mirëqenies sociale. Reagani erdhi si “prapakthim” i Rooseveltit, duke thënë se mjafton demokracia, të drejtat e njeriut dhe vetëvendosja e popujve, e nuk ka nevojë për shtetin e mirëqenies sociale. Tash Amerika është në një tjetër moment kyç, me një president si Trumpi, që e adhuron Reaganin e që, siç duket dëshiron të jetë “zhbërje” edhe e Wilsonit. Një rikthim tek Amerika që sheh vetëm punët e veta, që nuk shqetësohet fort për përhapjen e vlerave demokratike në botë ose për respektimin e të drejtave të njeriut apo vetëvendosjes së popujve anembanë globit. Natyrisht, politikat wilsoniane, ashtu si edhe ato rooseveltiane, kanë qenë të shtrenjta. Wilsoni financoi me borxhe të mëdha e pa precedent vendet aleate në Luftën e Parë Botërore, ndërsa rooseveltianizmi e shtoi koston, duke përkrahur pas Luftës së Dytë Botërore edhe ndërtimin e socialdemokracive europiane, përmes Planit Marshall. Bëhet fjalë për triliona dollarë. Simpatizantët e Reaganit e të Trumpit thonë se ato para amerikane nuk duhen shpenzuar për bamirësi nëpër botë, por në Amerikë, ndërsa simpatizantët e Wilsonit dhe Rooseveltit thonë se shpenzimi i atyre parave i ka sjellë vetëm fitim, fuqi e zhvillim Amerikës.

Sot, si në kohën e Sami Frashërit, globi është duke përjetuar një tension të madh gjeopolitik. Amerika, qysh prej kohës së presidentit Obama, e ka hequr vëmendjen nga Europa dhe është përqendruar më shumë rreth Oqeanit Paqësor, ku gjenden brigjet e rivalit të saj më të madh, Kinës. Rusia, që konsiderohej një fuqi e marrë fund ekonomikisht, sidoqoftë tregoi se është ende e gjallë. Frymëmarrje Rusisë i jep arsenali i saj bërthamor, që i vështirëson përballjet konvencionale. Dhe, Rusia këtë “aset” ka vendosur ta përdorë për të gllabëruar copa nga Ukraina, Gjeorgjia, ndoshta më vonë edhe nga Moldavia ose vende të tjera. E pikërisht në mes të këtij tensioni, të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë në 2022, nisi edhe një tension tjetër. Hamasi ndërmorri një sulm terrorist në 2023 dhe Izraeli vendosi të kundërpërgjigjet, duke çrrënjosur Hamasin, gjë që siç po duket ka kosto të mëdha në jetë të pafajshme të popullsisë civile palestineze. Hegjemonia amerikane në shekullin XX është mbështetur vazhdimisht te besimi se kjo superfuqi garanton paqe kundër pushtuesve dhe i garanton të drejtat e njeriut kundër abuzuesve. Të dyja këto kredo po sfidohen rëndë, e para në Ukrainë, e dyta në Gaza.

Midis këtij tensioni të madh gjeopolitik sërish shtrohet pyetja: cila është adresa e fuqisë ku shqiptarët duhet të çojnë kërkesa për të drejtën e tyre kombëtare? Adresa e parë, e vetëkuptueshme, është Uashingtoni. Adresa e dytë është Brukseli. Mandej Londra e Berlini. Ankaraja e Varshava. Periudhat e tilla janë të paparashikueshme, mjegulla që rrethon fushëbetejat dalëngadalë zgjerohet e përhapet globalisht.

Por, nëse për pragmatizmin realist shqiptar koha mund të duket e paqartë, për “partinë” e dytë brenda çështjes shqiptare koha është gjithmonë e qartë. Cila është ajo parti e dytë se? Është partia e idealizmit kombëtar. Nëse partia e pragmatizmit realist thotë se duhet t´i japim drejtësi fuqisë, pra duhet të gjejmë një fuqi ndërkombëtare mike e ta pajisim atë me argumentin e së drejtës shqiptare, partia e dytë, ajo e idealizmit kombëtar, thotë se të drejtës sonë kombëtare, kësaj ideje efemere, që është më e pranishme pikërisht atëherë kur mungon, duhet t´i ndërtojmë struktura të forcës. Cilat janë ato? Ekonomia dhe institucionet.

Sot për sot ekonomia jonë dominuese është tregtia e mallrave të importit dhe ndërtimi. Kot mburremi me miliarderët tanë të rinj, që paratë e tyre i depozitojnë në banka perëndimore ose i shndërrojnë në beton e në xham struktural të qendrave tregtare, banesave shumëkatëshe, hoteleve apo kafeneve që ndërtojnë. Sot ekonomia botërore është në një pikë kthese të madhe, po nis një tjetër revolucion industrial-teknologjik. Në shumë vende shteti dhe kapitali privat po bashkëpunojnë për të zënë hapin. Tek ne, si në kohë të Samiut, vazhdon ekonomia tregti e ndërtim. Nëse duam t´i japim forcë të drejtës sonë, duhet ta kthejmë ekonominë kah teknologjia, kah prodhimi, kah risia. Natyrisht, duhet të gjejmë mënyrën se si ta mbajmë në vendin tonë potencialin krijues e prodhues të të rinjve tanë, e jo t´i braktisim ata rrugëve të botës. Për ta arritur këtë, na duhet të kemi stabilitet të brendshëm, gjykata funksionale që dënojnë fajtorin e jo të varfrin dhe sistem ligjor që ia hap rrugën atij që meriton e jo atij që korrupton.

A mund të bëhet kjo? Sami Frashëri mendonte se po: “Ç’duhet për të shpëtuar ky i gjorë komb e ky i varfër vend nga kjo zi e madhe që e ka mbuluar e nga gjithë këta rreziqe që e kanë rrethuar, e për të lulëzuar ashtu si thamë? Fort pak gjë: Vetëm dëshirë!“ /revistashenja