Fuqia e besimit përballë sfidave-deri në martirizim apo fitoren dhe lirinë

Prof.Dr. Rrahman Ferizi

Besimi, qoftë si një fuqi hyjnore e bindjes së lartë, apo një kauzë morale, u siguron njerëzve një burim force, shprese dhe kuptimi mbi të vërtetën dhe jetën. Ai u mundëson atyre të tejkalojnë vështirësitë me besimin se ka kuptim dhe qëllim përtej vuajtjes dhe sfidave aktuale.

Fuqia e Besimit:

Besimi vepron si një forcë vullkani me veti stabilizuese universale, duke i ndihmuar njeriut të kapërcejë frikën dhe pasigurinë, duke ofruar një ndjenjë shprese në diçka më të fuqishme se vetja e tij. Njeriun qoftë fetar apo laik, besimi e inkurajon të mbetet shpresëdhënës, të durojë fatkeqësitë dhe të gjejë ngushëllim në idenë se sfidat kanë një qëllim, një fillim dhe përfundim. Kur jeta ngarkohet me sfida dhe rrugët e saj ngushtohen nga armiqësitë dhe luftërat, besimi mund të shërbej si një fanar, duke na kujtuar të përqendrohemi në atë që ka vërtet rëndësi dhe të ecim përpara me guxim, pa marrë parasysh rreziqet, deri në fitore ose martirizim.

Përsosja e shpirtit:

Në rrugët e transcendencës, udhëtimi i shpirtit drejt përsosshmërisë shpesh përfshihet në sprova, tundime dhe mundime të llojllojshme. Këto vështirësi nuk mund të shihen si ndëshkim, por edhe si mundësi për ngritje dhe përsosje shpirtërore. Çdo sfidë mund të jetë një sprovë e karakterit njerëzor duke paraqitur një mundësi për të zhvilluar virtyte fisnike si; durimi, dhembshuria, përulësia dhe mençuria.
“Përsosshmëria e shpirtit nuk synon për t’u bërë i përsosur, por për t’u dëlirësuar në një qenie humane më të lartësuar dhe më të moralshme”. Rafinimi shpirtëror është një proces i të mësuarit nga gabimet, tejkalimi i pengesave dhe përafrimi me të vërtetat dhe vlerat më të larta.

Sfidat si katalizatorë për prosperim:

Sfidat e jetës, megjithëse të dhimbshme, shërbejnë si katalizatorë për transformim dhe reflektim universal. Ato largojnë sipërfaqësinë dhe i detyrojnë individët dhe shoqëritë njerëzore të përballen me veten e tyre më të thellë dhe më origjinale.
Ky proces sfidimi, sado që të jetë me pasoja individuale apo kolektive, i shoqërive apo kombeve, mund të shpije në rritje të thellë e të brendshme të besimit si dhe në zhvillimin e përgjithshëm, duke shtuar guximin dhe rezistencën deri në martirizim apo fitoren dhe lirinë.
Nëpërmjet besimit, individët dhe shoqëritë njerëzore mund të gjejnë qëllimin në betejat e tyre për mbijetesën dhe lirinë, duke i pranuar këto sfida si armë të fuqishme të formësojnë dhe rafinojnë shpirtin e tyre.
Besimi ofron kuadrin dhe kapacitetin e intelektit njerëzor për t’i interpretuar këto vështirësi jo si bela dhe të rastësishme apo të pakuptimta, por si hapa thelbësorë të një urtësie hyjnore në një udhëtim më të madh e të qëllimshëm, drejtë pastrimit të mëkateve individuale apo kolektive dhe lartësimit deri në delikatesa të thella shpirtërore, duke liruar përfundimisht individin dhe shoqërinë nga labirinthet e dekadencës.
Nuk është vetëm fuqia ushtarake, teknologjike, ekonomike, gjeografia a tokës apo nataliteti i një shoqërie, faktor mbitozërues dhe prosperues, nëse ju mungon edhe fuqia e besimit dhe kërkimi i përsosmërisë së shpirtit.
Andaj, fuqia e besimit është shkolla më e mirë e cila edukon individin dhe shoqërinë në përballimin e vështirësive të jetës si pjesë e një udhëtimi kuptimplotë, ku çdo sfidë shërben për të thelluar karakterin si dhe për të kalitur fokusin në qëllimin final të jetës, si dhe për t’i sjellë ata që e arrijnë këtë virtyt më pranë paqes dhe lartësimit shpirtëror.

Përgatiti: Dr. Rrahman FERIZI