Funerali i ndërgjegjes njerëzore në Palestinë
(Ndikimi i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë dhe përfundimi i luftës në Palestinë vs zhvlerësimi i paradigmave demokratike)
Njeriu në këtë kohë nuk e di se mund të zgjedh ndonjë metaforë më të fuqishme, që mund t’i referohet një perceptimi skajshmërisht të kobshëm, të dështimit të inskenuar të komunitetit ndërkombëtar për të trajtuar në mënyrë adekuate vuajtjet dhe padrejtësitë me të cilat përballet populli palestinez, tashmë e disa dekada.
Kjo gjendje e sotme jo-njerëzore thuajse e pa ndjenja ndaj dhimbjes dhe empatisë elementare, e pjesës dërmuese të njerëzimit anekënd globit, manifestohet edhe përtej kontekstit të konflikteve të vazhdueshme, shkeljeve te të drejtave të njeriut deri në gjenocid, si dhe kompleksiteteve më të gjera gjeopolitike që rrethojnë konfliktin palestinezo-izraelit.
Kjo situatë sikur e shpërfaqë edhe njëherë natyrën dualiste të njeriut, atë të homo-sapiens sipas Darvinit dhe pjesën tjetër të njeriut (intelektit) hyjnor apo idealist.
Shkeljet e të drejtave elementare të njeriut:
Raportet e abuzimeve te të drejtave të njeriut, duke përfshirë dhunën, zhvendosjen dhe kufizimet në lëvizje dhe qasjen në të korrurat dhe ujin e pijshëm, kanë qenë një rutinë në territoret palestineze, tani e disa dekada. Këto çështje nxjerrin në pah situatën e rëndë humanitare me të cilën përballet sot populli palestinez, gjendje e cila edhe pasi u dënua dhjetra here nga organizatat ndërkombëtare dhe madje u klasifikua edhe si gjenocid, nuk ndryshoi thuajse asgjë nga ky inkuizicion i shtetit izraelit, të ndalët dhuna dhe vrasja në baza ditore e civilve, kryesisht grave dhe fëmijëve.
Përpjekjet dhe negociatat për paqe:
Pavarësisht përpjekjeve të shumta për negociata dhe propozimet për paqe, një zgjidhje e qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez mbetet e largët dhe thuajse utopike. Ky ngërç i vazhdueshëm kontribuon në zhgënjimin dhe dëshpërimin e shprehur edhe në radhët e pushtuesve izraelit, të cilët luftën ndaj palestinezve tashmë e shohin si luftë ndaj një kauze, ndaj një ideje dhe luftë ndaj një populli të tërë, e dihet se historikisht, një ushtri mund të fitojë luftën ndaj një ushtrie tjetër, mirëpo nuk mund të fitojë luftën ndaj një ideje si dhe ndaj një populli të tërë i cili është në gjendje të martirizohet për kauzën dhe atdheun e vet?!.
Ndikimi ekonomik dhe social:
Konflikti tashmë me dekada në tokat palestineze ka pasur dhe ka pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për palestinezët, hebrenjtë si dhe komunitetet tjera që jetojnë në këto troje, përcjellë me krizë të thellë sidomos në popullatën palestineze duke përfshirë shkallën e lartë të papunësisë, varfërinë dhe aksesin e kufizuar në shërbimet thelbësore si kujdesi shëndetësor dhe arsimim.
Konteksti kulturor dhe historik:
Rëndësia dhe nostalgjia e thellë shpirtërore dhe kulturore ndajë këtyre tokave, si dhe aspiratat historike të palestinezëve dhe izraelitëve e shtojnë edhe më shumë kompleksitetin në këtë konflikt, ndërsa nga të dy anët ka pakë zëra të cilët besojnë se rruga e dialogut është solucion i paqes.
Ndikimi i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë dhe përfundimi i luftës në Palestinë:
Përfundimi i luftës në Palestinë konsiderohet së është i ndërlidhur ngushtë me ndikimin dhe reflektimin e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, si ngjarje e rëndësishme e cila mund të riformësoj politikat e brendshme, marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe stabilitetin rajonal e global.
Fillimi i fundit të konfliktit në Palestinë, mund të sjellë shpëtim humanitar emergjent, duke lejuar përpjekjet për rindërtim, kthimin e njerëzve të zhvendosur dhe përmirësimin e aksesit në shërbimet bazë si kujdesin shëndetësor dhe arsimim.
Andaj të dy këto ngjarje, edhe pse dramatikisht larg; rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë dhe marrja e një epilogu të stabilitetit në Palestinë, nxjerrin në pah natyrën komplekse të politikës globale, ku ndryshimet në një rajon mund të kenë efekte valëzuese në mbarë botën. Ndalja e luftrave në ato toka të shenjta si për myslimanët ashtu edhe për të krishterët dhe hebrenjtë, është vendimtare në rikonfigurimin e dinamikës së ardhshme gjeopolitike globale.
Përndryshe ky zjarr do të vazhdojë të fryjë nga stuhitë e lindjes dhe perëndimit, andaj nëse sot nuk veprohet nga i tërë komuniteti ndërkombëtar në qetësimin e tij, nesër mund të bëhet vonë?!.
Përgatiti: Prof. Dr. Rrahman FERIZI