Fundoset nëndetësja në Hurghada të Egjiptit, 6 turistë rusë humbin jetën dhe 39 të tjerë shpëtohen

Gjashtë turistë rusë kanë humbur jetën dhe 39 turistë të tjerë të huaj janë shpëtuar pasi një nëndetëse turistike u fundos në qytetin egjiptian Hurghada në Detin e Kuq, transmeton Anadolu.

Guvernatori i Detit të Kuq, Amr Hanafi, tha se nuk ka njerëz të zhdukur në fundosjen e nëndetëses turistike në Hurghada.

Hanafi konfirmoi se nëndetësja kishte një licencë të vlefshme dhe kapiteni i ekuipazhit kishte certifikatat e nevojshme akademike.

“Koordinimi dhe komunikimi janë duke vazhduar me të gjitha ambasadat, konsullatat dhe autoritetet përkatëse, për të ofruar të gjithë lehtësimin e nevojshëm, për të nxjerrë dokumentet e kërkuara për pasagjerët dhe për të siguruar që të gjitha aspektet e kujdesit mjekësor të ofrohen”, tha Hanafi.

Hanafi nuk përmendi kombësinë e viktimave që humbën jetën, por autoritetet e Detit të Kuq konfirmuan se të gjashtë viktimat ishin shtetas rusë.

Në deklaratën e autoriteteve egjiptiane thuhet se nëndetësja mbante 50 persona, respektivisht 45 turistë nga Rusia, India, Norvegjia dhe Suedia, si dhe pesë shtetas egjiptianë të ekuipazhit.