Ballina Lajmet Kosovë Fundjava me erë dhe borë

Fundjava me erë dhe borë

Gjatë 24 orëve të ardhshme mbi rajon pritet të kaloj një front i ftohtë, me bërthamë të ftohtë të masave ajrore që po vijnë nga veriu i kontinentit.

Temperaturat e ajrit nga sot në mbrëmje dhe nesër do të pësojnë rënie të ndjeshme, me maksimale që do të zbresin deri në 6C, e minimale deri në 3C, e në vise malore edhe në -1 deri -2C.

Nga dita e diel temperaturat do të shënojnë rritje graduale rreth vlerave mesatare. Maksimalet do të sillen nga 14C deri në 18C, e minimalet nga 3C deri në 6C.

Nën këto kushte sot pasdite vonë dhe në mbrëmje vende-vende priten reshje lokale shiu, e gjatë natës me kalimin e këtij fronti priten reshje shiu të intensitetit të lartë.

Në vise kodrinore priten reshje shiu të përziera edhe me borë, e në vise malore mbi 1200m vetëm reshje bore.

Nesër herët në mëngjes dhe paradite reshjet do të jenë më të qëndrueshme, ndërsa gjatë ditës do të mbajë mot i ftohtë, i vranët dhe me erë të fuqishme veriore, vende-vende me riga lokale shiu.

Deri në mbrëmje reshjet pritet të pushojnë. Të dielën pritet përmirësim i motit, ku do të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, sipas Prishtina Weather, shkruan Gazeta Metro.

Në fillim të javës do të vazhdojë të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell. Të martën pasdite vende-vende nuk përjashtohen mundësitë për riga lokale shiu.

Të shtunën do të fryjë erë mesatarisht e fuqishme dhe fuqishme nga veriu 8-14m/s, e të dielën kryesisht nga veriperëndimi 2-7m/s.

Shtypja atmosferike pasi të zbres rreth vlerave normale, nga e dita e diel do të shënojë rritje. /Mesazhi/

Exit mobile version