FSSHK e shqetësuar nga shkelja e masave antiCOVID-19 në tubimet zgjedhore

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës thotë se me shqetësim është duke përcjell tubimet publike të partive politike garuese në zgjedhjet e parakohshme të cilat nuk i përmbahen masave të përcaktuara me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e COVID-19  në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimeve të IKSHPK-së.

Sipas FSSHK-së, kështu po rrezikohet në masë të madhe shëndeti i popullatës në përgjithësi dhe punëtorëve shëndetësor në veçanti sepse studimet e fundit në Britaninë e Madhe kanë treguar se punëtorët shëndetësor janë 4 deri në 5 herë më të ekspozuar(rrezikuar) ndaj infektimit se pjesa tjetër e popullsisë.

FSSHK vlerëson se në situatë me Pandeminë COVID-19 patriotizëm, atdhedashuri dhe përkushtim për vendin tregojnë të gjithë ata që respektojnë masat, vendosin maskat, respektojnë distancën sociale e këtë gjë nuk po e shohim tek partitë politike pa përjashtim.

Andaj, FSSHK e shqetësuar tej mase me sjelljet  e figurave politike sikurse nuk ekziston virusi, sikurse jemi në situatë normale paralajmëron të gjitha partitë politike që përgjegjësia në rast të rritjes së numrit të infektuarve me COVID-19 bie mbi ta dhe për këtë do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore deri në parashtrim të padisë për rrezikim të shëndetit të përgjithshëm të popullatës e në veçanti të punëtorëve shëndetësor.