Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama përgëzoi Batalionin e Dytë të Reagimit të Shpejtë të FSK-së, për suksesin e treguar në stërvitjen “Joint Effort-16”
Mbi 1500 trupa ushtarake po marrin pjesë në stërvitjen e përbashkët “Joint Effort-16” organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe njësite ushtarake të Forcave të Armatosura të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Italisë, FSK-së dhe Malit të Zi. Stërvitja e cila ka filluar nga data 19 shtator 2016, është njëra ndër stërvitjet e përbashkëta më të mëdha që FA kanë zhvilluar me NATO-n, në dhjetë vitet e fundit në Shqipëri.
Qëllimi i zhvillimit të stërvitjes ushtarake “Joint Effort-16”është rritja e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave pjesëmarrëse dhe kapaciteteve operacionale të shtabeve dhe njësive të FA në procesin e planëzimit dhe ekzekutimit të operacioneve luftarake në mjedis të përbashkët (JOINT) dhe multinacional, në nivel taktik dhe operativ.
Në “Ditën e Vizitorëve të Shquar” të pranishëm ishin ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, anëtarët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, komandanti i Komandës së Ushtrisë së SHBA-së për Evropë, gjenerallejtënant Ben Hodges, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ambasadori i Kosovës në Republikën e Shqipërisë, z. Ramiz Lladrovci, ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman, komandantët e forcave, atashe ushtarakë si dhe oficerë të lartë të shteteve pjesëmarrëse.
Në fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli vlerësoi se mjedisi i përbashkët i sigurisë kërkon një përqasje gjithëpërfshirëse dhe kontribut të përbashkëta, të cilat kanë nevojë për më shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim si dhe për besim reciprok midis vendeve.
“Kërcënimet e sotme në kufijtë lindorë dhe jugorë të Aleancës dëshmojnë rëndësinë e mirë përgatitjes së saj për përballimin e çdo rreziku. Për pjesëmarrësit e FARSH kjo stërvitje është në funksion të përmbushjes së detyrimeve, pasi i shërben drejtpërdrejt përgatitjes për certifikimin e grup – batalionit pas disa vitesh. Stërvitja “Joint Effort – 2016” është një mundësi e mirë jo vetëm për përmirësimin e aftësive të mirëfillta ushtarake, por edhe një mundësi e mirë për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe atë dypalësh, si dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve në aspektet politike dhe diplomatike, pa lënë mënjanë dhe promovimin dhe shkëmbimet kulturore të vendeve”, tha ministrja e Mbrojtjes.
Kodheli nënvizoi faktin se kjo është një ndër stërvitjet e përbashkëta më të mëdha të viteve të fundit që FARSH organizojnë bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes.
“Dua të theksoj se përveç mbi 1500 trupave nga të gjitha forcat dhe komandat kryesore të FA, në këtë stërvitje marrin pjesë dhe 220 trupa dhe mjete ushtarake nga vendet aleate dhe partnere. Shpreh kënaqësinë time për pjesëmarrjen e forcave nga Britania e Madhe, SHBA, Italia, të cilat janë një burim i vyer i eksperiencës dhe përvojës në fushëbetejë dhe vijojnë të mbeten dhe një instrument i rritjes së ndërveprimit me Forcat tona të Armatosura”, tha Kodheli.
“Në mënyrë të veçantë përshëndes pjesëmarrjen e fqinjëve tanë nga Mali i Zi, të cilët marrin pjesë për herë të parë me statusin e vendit aleat në NATO. Duke i uruar edhe një herë në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit. Nuk mund të lë pa përmendur edhe Forcat nga Kosova, të cilët nuk mungojnë asnjëherë duke na dhënë kënaqësinë e veçantë që përveç aleatëve të kemi edhe partner po aq të përgatitur, me eksperiencë dhe dinjitozë si vëllezërit tanë kosovarë”, vlerësoi ministrja Kodheli.
Ministrja e Mbrojtjes shprehu besimin se kjo stërvitje të jetë më tepër se një mundësi e mirë për të përmirësuar aftësitë luftuese dhe aplikimin e procedurave të Aleancës ku të ndahen me njëri – tjetrin eksperiencat dhe praktikat më të mira. Njëherësh i uroi suksese “Joint Effort – 2016”.
Ndërsa komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas stërvitjes; vlerësoi lartë pjesëmarrjen e Batalionit të Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së, në Stërvitjen “Joint Effort-16” së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shteteve tjera pjesëmarrëse.
Gjeneral Rama më tej tha se: “me këtë stërvitje FSK-ja demonstroi profesionalizmin të lartë, përkushtimin dhe motivimin. Ai gjithashtu përgëzoi pjesëtarët e FSK-së, për suksesin e treguar, disiplinën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me ushtritë pjesëmarrëse në stërvitjen “Joint Effort -16”.
Nga ana e tij shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Jeronim Bazo nënvizoi se e reja e kësaj stërvitjeje është fakti se është shumëkombëshe dhe zhvillohet në vendin tonë. Bazo bëri të ditur se FA ka një batalion të gatshëm dhe të përgatitur për ta dislokuar kudo.
Kurse gjenerali amerikan Hodges nënvizoi se “Shqipëria është shumë e rëndësishme për Aleancën, është pjesë e rëndësishme e stabilitetit në rajon dhe po i tregon kapacitetet e veta Aleancës për operacionet”.
Stërvitja e koduar “Joint Effort – 16” e cila filloi nga data 19 shtator 2016, dhe po zhvillohet në rajonet: Garnizoni “Skënderbej”, Zall-Herr, Bizë, Kepi i Palit, Vau i Dejës, Poshnjë, Rinas dhe Kuçovë, pritet t’i përfundojë ushtrimet më 29 shtator 2016.