Në Poligonin e stërvitjeve taktike në fshatin Cernushë, u realizua Stërvitja Fushore katërditore “Ujku vigjilent-02 ” me demonstrimin stërvitor përmbyllës të Kompanisë së Mekanizuar të Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore të FSK-së.
Për të parë nga afër demonstrimin e operacioneve stërvitore, ishin ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj dhe atasheu ushtarak i SHBA-së, major Bret Wisecup.
Pas demonstrimit stërvitor, pjesëtarëve të task-forcës pjesëmarrëse në stërvitje iu drejtua ministri i Mbrojtjes, Anton Quni i cili shprehu impresionet e tij për nivelin e lartë të profesionalizimit të demonstruar gjatë stërvitjes.
“Ky nivel profesional , kjo shkallë e angazhimit dhe përkushtimit janë faktori determinues i besimit të plotë në ju. Kërcënimet ndaj nesh fare nuk na brengosin sepse fitues është ai që mbron vendin e vet.” tha ndër të tjera ministri Quni.
Nga ana e tij, gjeneral Rama shprehu vlerësimin e lartë për shkallën e profesionalizmit të demonstruar duke theksuar se kjo e arritur me standardet bashkëkohore na forcon besimin në qëllimit tonë, integrimin në NATO me forca të ndërveprueshme për operacione të përbashkëta me forcat aleate. “Sa më parë të realizojmë këtë qëllim do të jetë më mirë jo vetëm për vendit tonë por edhe rajonin e më gjerë” tha ndër të tjera gjeneral Rama.
Pas demonstrimit të operacioneve urbane, nga ana e ministrit Quni dhe gjeneral Ramës, u përurua solemnisht, Poligoni i Stërvitjeve për Operacione Urbane të FSK-së. Poligoni përkatës i përuruar sot ka filluar së ndërtuari para një viti dhe plotëson të gjitha kushtet për trajnim deri në nivel kompanie. Ky moment ishte shumë domethënës pasi që ideator për ndërtimin e këtij poligoni ishte nënoficeri i dalluar i FSK-së, tashmë i ndjerë, kapter Baki Ejupi.
Stërvitja fushore “Ujku vigjilent” shënon edhe përfundimin e ciklit të trajnimit tremujor të kompanisë përkatëse me mbështetjen edhe të AIR MEDEVAC të Ushtrisë Amerikane. Ky është aktiviteti i radhës i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së në kuadër të procesit të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e territorit, si detyrim kryesor ligjor i saj.