FSK mbetet institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) me temën: “Monitorimi i Sektorit të Sigurisë së Kosovës: korrik- nëntor 2016”, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) vazhdon të jetë ndër institucionet më të besueshme në Kosovë.

Në tryezën e rrumbullakët, “Monitorimi i Sektorit të Sigurisë së Kosovës”, numri i pestë i Observerit të sektorit të Sigurisë së Kosovës, trajton në mënyrë analitike çështjet kyçe të sektorit të punëve të brendshme, inteligjencies dhe Këshillit të Sigurisë, si dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku Mentor Agani nga KIPRED, prezantoi rezultatet e hulumtimit të opinionit publik lidhur me besimin sa i për ketë çështjeve të sigurisë, institucioneve përkatëse të sigurisë si dhe krerëve të tyre si dhe komisionin përkatës parlamentar, raporton KP.

Agani tha se qytetarët e anketuar në muajin dhjetor 2016, kanë pasur mundësi që nivelin e besimit që e kanë në institucionet apo krerët institucionalë ta shprehin me numra.

Sa i përket besimit të përgjithshëm gjatë muajve të fundit të qytetarëve të Kosovës, del se FSK e gëzon besimin më të madh të qytetarëve me 3.89 për qind, si dhe ka pasur një rritje të vazhdueshme nga qytetarët e Kosovës, pastaj vjen Policia e Kosovës me 3.81 për qind të respodentëve të anketuar.

Ndërsa, drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci prezantoi punimin analitik “Mbikëqyrja Parlamentare e Sektorit të Sigurisë: Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së”, si dhe gjetjet nga monitorimi i sektorit të sigurisë në Kosovë.

FSK është ndër institucionet më të besueshme në vend sipas të gjitha hulumtimeve dhe anketimeve, në pesë vitet e kaluara, dhe lë pas kështu vazhdimisht të gjitha institucionet tjera të sigurisë në nivel vendi.