Ndonëse ende s’ka marrë dritën jeshile për tu bërë ushtri, Forca e Sigurisë së Kosovës këtë vit ka në plan një sërë trajnimesh jashtë vendit. Ky institucion pritet që pjesëtarët e saj ti dërgoj në vendet të cilat kanë ushtritë më të përsosura.
Ministria e cila udhëhiqet nga Haki Demolli, në një përgjigje për “Indeksonline”, ka treguar se kanë disa marrëveshje me Ministritë e Mbrojtjes të disa shteteve mike.
“MFSK ka të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe me Ministritë e Mbrojtjes me 13 shtete mike. Pjesëtarët e FSK-së trajnime mbajë në shumë shtete si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Angli, Gjermani, Turqi, Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Maqedoni si dhe Holandë”, thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri qeveritar.
Ndërkohë, armatimi që aktualisht posedon FSK-ja i plotëson standardet e NATO-s. Armatimi është prodhim, austriak, gjerman dhe i SHBA-ve.
Poashtu, FSK-ja përdorë armë të lehta për përdorim personal, ku hyjnë armë brezi dhe armë të gjata.
Ndryshe, buxheti i MFSK-së për vitin 2017 është 51 milionë euro.