Një kontingjent prej 26 pjesëtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), u nis sot për të marrë pjesë në ushtrimin fushor “Reagimi i Menjëhershëm -16”, i cili do të mbahet nga data 09 deri më 23 shtator në Slloveni dhe Kroaci.
Kontingjenti i FSK-së është i përbërë nga oficerë dhe nënoficerë të njësive të ndryshme të FSK-së, si të Kërkim-Shpëtimit, Deminimit, Mjekësisë dhe CIMIC-ut.
Për t’i përcjellë pjesëtarët e FSK-së, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, përveç zv. komandantit të Komandës së Forcave Tokësore(KFT), gjeneral brigade Gëzim Hazrrolli, kishin dalë edhe zv. komandanti i Brigadës së Mbështetjes Operacionale (BMO), kolonel Avdi Raci dhe oficerë të lartë të FSK-së.
Me këtë rast, gjeneral Hazrolli kërkoi nga pjesëtarët e FSK-së që të angazhohen maksimalisht gjatë ushtrimit fushor “ Kërkoj nga ju, që nga ky moment, të bëni më të mirën e mundshme në vazhdën e përgatitjeve profesionale. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim që të marrim pjesë në sa më shumë ushtrime fushore, dhe ju duhet ta shfrytëzoni këtë rast, që të përfitoni sa më shumë nga përvojat e ushtrive të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse në këtë ushtrim, dhe njëherësh ta prezantoni FSK-në dhe Kosovën në formën më të mirë të mundshme”.
Në fund, gjeneral Hazrolli u shpreh i bindur se pjesëtarët, të cilët do të marrin pjesë në këtë ushtrim, e kanë përgatitjen dhe eksperiencën e duhur që të tregojnë suksese dhe t’i kalojnë të gjitha sfidat e mundshme gjatë ushtrimit, njofton zyra për komunikim e MSFK-së.
Ushtrimi fushor “Reagimi i Menjëhershëm -16,” do të realizohet në territorin e Sllovenisë dhe të Kroacisë. Kontingjenti i FSK-së do t’i bashkohet njësiteve të ushtrive të Sllovenisë, Kroacisë dhe SHBA-së.