FSK e gatshme për ushtri që nga viti 2014

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, ka theksuar se FSK e ka përmbushur mandatin e saj, duke arritur kapacitetet operacionale, duke e qenë e gatshme për transformim në ushtrinë e Kosovës.

Ai këto komente i ka bërë në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së.

Berisha tha se janë të fokusuar në vendosjen e politikave strategjike, me qëllim që FSK t’i mirëmbajë kapacitetet e veta, t’i avancojë ato dhe t’i zhvillojë në të ardhmen, si forcë profesionale e multi-etnike, e cila do të jetë në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Si prioritet kryesor sipas tij, është edukimi profesional i burimeve njerëzore brenda FSK-së.

“Jemi në rrugë të mirë. FSK ka ngritur një komision për transformimin dhe modernizimin e FSK-së dhe ai komision ka kryer shumë punë të mëdha. Ne si FSK do të jemi në mbështetje të politikës, për transformim. Por siç dihet kjo është çështje politike. Është tepër me rëndësi që ta kemi një koordinim të mirë ndërinstitucional. Një bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe në të ardhmen ta kemi dhe një përafrim me komunitetin serb, sepse kjo është në të mirën e të gjithëve. Në e dimë që në të kaluarën ka ndodhur një luftë, por ajo është e kaluar. Ne duhet të fokusohemi drejt të ardhmes. Sepse kjo është interes dhe i joni dhe i gjithë qytetarëve të Kosovës. Transformimi i FSK-së është në të mirë të gjithë qytetarëve. Dhe ne këtë mesazh duam që në të ardhmen ta përcjellim tek çdo qytetar i Kosovës. Me rëndësi është që komunitetit që është pranuar 163 minoritete, tre prej tyre janë dhe nga veriu i Kosovës, që është një hap i mirë dhe pozitiv”, tha Berisha.

Ministri Berisha ka folur edhe për rishikim e buxhetit për FSK-në, duke theksuar se për vitin 2018, kemi rritje të buxhetit, në shumën prej 54 milionë.