Frontex: Emigrantët, një armë e re “hibride” dhe “gjeopolitike” në portat e Evropës

Nga Bjellorusia në Turqi, migrantët përdoren nga disa regjime në portat e Evropës si “armë” në një luftë latente kundër BE-së”, një lojë gjeopolitike ndaj së cilës ata ekspozohen gjithnjë e më shumë, sipas studiuesve dhe zyrtarëve evropianë.

Shembulli i fundit deri më sot dhe ende në vazhdim, në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë, është ai i një “dhune dhe intensiteti që nuk e kishim njohur kurrë, në asnjë kufi”, theksoi Fabrice Leggeri, kreu i Frontex, agjencisë evropiane për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së.

Që nga rizgjedhja e Aleksandër Lukashenkos në verën e vitit 2020, Frontex kishte kryer gjithashtu simulime me Lituaninë, Letoninë dhe Poloninë për të studiuar “cënueshmërinë” e kufijve të tyre, i bindur se presidenti bjellorus do të përpiqej të përdorte emigracionin e paligjshëm si armë gjeopolitike’’.

Një vit më vonë, Lituania dëshmoi një “valë të parë migrantësh”, që mbërrinin nga Bjellorusia, të ardhur fillimisht në Minsk përmes fluturimeve me origjinë veçanërisht nga Bagdadi.

Ishte në shtator që këto flukse migratore krejtësisht artificiale, të organizuara për një lojë gjeopolitike, arritën në Poloni dhe gjeneruan një përshkallëzim të dhunës pothuajse ushtarake.

”Një duzinë migrantësh vdesin në këtë tokë të askujt, të bllokuar mes forcave bjelloruse që i pengojnë ata të kthehen dhe forcave polake që i pengojnë të hyjnë”, shpreh keqardhjen Fabrice Leggeri.

“Kjo tregon se Bjellorusia po kërkon të krijojë viktima për të ushtruar presion dhe për të marrë njohjen ndërkombëtare për regjimin e saj’’, vazhdon ai. /atsh