“Frizerkat” u ikin tatimeve edhe pse fitojnë para të majme

Sallonet e bukurisë janë kthyer në një prej bizneseve më fitimprurëse në vend. Numri i tyre me kalimin e viteve vetëm sa po shkon duke u rritur. Në tërë vendin aktualisht janë të regjistruara rreth gjashtë mijë biznese të tilla. Por, jo të gjitha paguajnë tatim. Sipas Administratës Tatimore, vetëm 1 mijë e 800 sallone të bukurisë i paguajnë tatim shteti. Ndërkohë, shuma e parave që ka përfituar shteti nga këto biznese gjatë vitit të kaluar shkon në mbi 700 mijë euro.

Lokalet ku ushtrojnë veprimtarinë janë të mbushura plotë me klientë pothuajse çdo ditë. Që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, puna në sallonet e bukurisë që operojnë në vend nuk ndalet kurrë.

Madje, vetëm që të marrin shërbimet më shpejtë, gratë kosovare marrin rrugën drejt tyre që nga ora gjashtë e mëngjesit. Të tjera presin në rend me orë të tëra.

E shumat e parave që shpenzojnë kosovaret për shërbimet që ofrohen në këto sallone janë marramendëse.

Vetëm për një frizurë, ato shpenzojnë deri në 700 euro, pa llogaritur këtu grimin, qerpikët e thonjtë. Me shërbime të tilla, deri në fund të ditës, në arkat e këtyre bizneseve derdhen me mijëra euro.

Ndërkohë, që numri i madh i klienteve dhe çmimet e larta të shërbimeve, kanë bërë që sallonet e bukurisë të kthehen në një prej bizneseve më fitimprurëse në vend.

Për çdo vit, vendit i shtohen rreth 500 biznese të tilla. Ndërkohë, që artistët që merren me rregullimin e flokëve dhe grimit kanë fitime të pastra, pa iu detyruar shtetit asnjë cent.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë i kanë thënë Gazetës Express se aktualisht në tërë vendin janë të regjistruara 5 mijë e 617 sallone të bukurisë.

Sipas statistikave të MTI, Vetëm gjatë vitit të kaluar janë hapur rreth 500 biznese të tilla.

Me numrin më të madh të këtyre bizneseve prijnë Prishtina, Prizreni, Ferizaji, Gjilani dhe Gjakova. Vetëm në këto pesë qytete, numri i salloneve të bukurisë shkon në rreth 3 mijë të tilla.

Derisa komunat me më së paku biznese të tilla mbeten ato që janë të banuara me shumicë serbe, përkatësisht Novobërda, Hani i Elezit, Zubin Potoku dhe Shtërpca.

Por, ndonëse janë të regjistruara mbi 5 mijë biznese të tilla, shumica e tyre nuk i paguajnë fare tatim shtetit.

Së paku kështu deklarojnë në Administratën Tatimore të Kosovës.

Zëdhënësja e ATK’së, Valentina Bytyqi-Sefa i ka thënë Gazetës Express se gjatë vitit të kaluar, obligimet tatimore i kanë paguar vetëm 1 mijë e 800 sallone të floktarisë.

Bytyqi deklaron se nga pagesa që kanë kryer këto biznese janë mbledhur mbi 730 mijë euro.

“Gjatë vitit 2018 numri i tatimpaguesve me aktivitet  sallonet e floktarisë dhe trajtimet tjera të bukurisë , të cilët kanë paguar obligimet tatimore është 1,808, ndërsa vlera e pagesës është 730,247 euro”, thuhet në përgjigjet e Bytyqi-Sefës drejtuar Expressit.

Ndërkohë, që shmangia nga tatimi dënohet edhe me Nenin 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në bazë të Kodit Penal, kushdo që me qëllim fsheh apo i shmanget pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, mund të dënohet me burg nga tri deri në 8 vjet burgim, varësisht nga shuma.