Frank-Walter Steinmeier president i ri i Gjermanisë

Asambleja Parlamentare e Gjermanisë sot e ka zgjedhur ish-ministrin e jashtëm, Frank-Walter Steinmeier, për president të ri të këtij vendi.

Në seancën speciale, për zotin Steinmeier votuan 931 prej 1,260 anëtarëve të Asamblesë Parlamentare, e cila përbëhet prej 630 ligjvënësve të Dhomës së Ulët të Parlamentit dhe po aq përfaqësuesve të 16 shteteve gjermane.

Presidenti i Gjermanisë ka pak autoritet ekzekutiv, por konsiderohet një autoritet i rëndësishëm moral.

Frank-Walter Steinmeir e kishte mbështetjen e “koalicionit të madh” të kancelares Angela Merkel, që përbëhet nga partitë e qendrës së djathtë dhe asaj të majtë.