Ballina Lajmet Kosovë Franco Federici merr komandën e KFOR-it në Kosovë

Franco Federici merr komandën e KFOR-it në Kosovë

Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO-ja ka një Komandant të ri, gjeneralmajorin Franco Federici, nga Ushtria Italiane, i cili mori detyrën nga gjeneralmajori Michele Risi në fund të misionit të tij operacional 1-vjeçar.

Përmes një komunikate të lëshuar nga KOFR-i, thuhet se Gjenerali Risi përshëndeti pasardhësin e tij dhe falënderoi 3.500 ushtarët e tij dhe të gjithë partnerët e KFOR-it që kontribuuan në arritjet e misionit.

“Ndërsa reflektoj për 12 muajt e fundit, kujtoj me qartësi fjalët e mia më 19 nëntor 2019, kur pranova nderin, privilegjin dhe përgjegjësinë si Komandant i XXIV i KFOR-it, Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO-ja. Unë zgjodha moton tonë ‘Stabilitet i Qëndrueshëm’, për të ilustruar se misioni ynë afatgjatë dhe i qëndrueshëm ishte të ishim rezistent ndaj çdo goditjeje për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës”, tha Komandanti në largim.

“Që nga shpërthimi i pandemisë Covid19, KFOR-i me njësitë e tij kontribuoi rregullisht në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, ndërsa miratoi të gjitha masat parandaluese të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të mbrojtur ushtarët e vetë dhe komunitetet që ata shërbejnë”, shtoi gjenerali Risi.

KFOR-i kontribuoi në reagimin lokal ndaj Covid19 përmes dhurimit të pajisjeve personale për mbrojtje për institucionet shëndetësore në Kosovë dhe duke lehtësuar shpërndarjen e ndihmave nga vendet anëtare dhe partnere të NATO-s. Ndihma u ofrua në një mënyrë të paanshme për të gjitha komunitetet në Kosovë, përmes një numri projektesh gjithashtu në fushën e arsimit.

Gjatë mandatit të gjeneralit Risi, KFOR-i forcoi bashkëpunimin me Institucionet në Kosovë, me Komunitetin Ndërkombëtar dhe të gjitha organizatat e sigurisë, për të përmbushur mandatin e vendosur nga RKSKB 1244 e vitit 1999. Në të njëjtën kohë misioni i NATO-s kontribuoi në nxitjen e bashkëjetesës ndëretnike dhe zhvillimit të kornizës së sigurisë për dialogun.

Në këtë drejtim gjeneral Risi theksoi rolin e tij mbështetës të sigurisë në aranzhimin e lehtësuar nga Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, që synon nxitjen e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve përmes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore-fetare dhe forcimin e zhvillimit ekonomik brenda komunës së Deçanit dhe në rajon.

Admirali Robert P. Burke, Komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-së në Napoli, falënderoi Gjeneralmajorin Risi dhe ushtarët e tij për rezultatet e rëndësishme të arritura gjatë mandatit të tij. “Jam shumë krenar për punën e qëndrueshme të KFOR-it.  Sot, Kosova është më e sigurt dhe më stabile sesa kur filloi misioni ynë. Dua ta falënderoj secilin nga ju për atë arritje të jashtëzakonshme.  Kjo është punë ekipore dhe puna juaj e madhe po shpaguhet”, deklaroi Admirali Burke në fjalën e tij, përpara se t’i dëshirojë Komandantit të ri të gjitha të mirat për mandatin e tij të ardhshëm.

Gjeneralmajori Federici shprehu krenarinë e tij që shërben si Komandanti i 25-të i KFOR-it dhe dha deklaratën e tij të parë.

“Unë i kushtoj vlerë shumë të lartë punës ekipore dhe kohezionit dhe do të theksoj se vizioni i përbashkët dhe uniteti i përpjekjeve është esencial për suksesin e misionit tonë, jo vetëm brenda KFOR-it, por edhe me Organizatat tjera Ndërkombëtare dhe me Institucionet në Kosovë. Kjo është forca ngasëse prapa motos sonë të Forcës së Kosovës XXV: ‘Përparojmë si një’.  Me vizion të përbashkët, ne do të sigurojmë përpjekje sinergjike për KFOR-in dhe institucionet në Kosovë”.

 

Exit mobile version